Emigrantët, tensionohet situata në ishujt grekë. Revolta në Kos

12/08/2015 00:00

Prurjet e shumta të emigrantëve në brigjet greke të ishullit Kos, i kanë bërë autoritetet të paafta të menaxhojnë situatën, teksa ditën e martë shumë prej tyre u ngritën në revolta të njëpasnjëshme duke protestuar për të drejtat e tyre, për legalizimin e qëndrimit dhe për më tepër ushqim e kushte jetese.

Në këto revolta u bë pjesë edhe policia, për shkak se situata precipitoi në përleshje dypalëshe.

“Duam dokumentet! Duam të hamë!”. Këto ishin thirrjet e emigrantëve, të cilët, teksa ndodheshin në radhë për t’u regjistruar e për të marrë lejen e qarkullimit të lirshëm nëpër ishull, filluan të përlesheshin me njëri-tjetrin.

Ky ishte edhe momenti, kur u kërkua ndërhyrja e forcave të rendit, por këta të fundit nuk arritën t’i shpërndanin. Turma u nervozua më tepër – bëjnë me dije mediat lokale, – dhe kjo çoi edhe në hedhjen e gurëve në drejtim të policëve, që ndodheshin në turmë.

Autoritetet, nga ana tjetër, filluan t’i shtynin e më pas t’i qëllonin, ndërkohë që turma e përfshirë në përleshje filloi të shtohej gjithnjë e më shumë. Policisë iu desh të përdorte gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Duke u njoftuar mbi situatën, kryetari i ishullit, Jorgos Qiricis i ka dërguar një apel alarmi qeverisë qendrore, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme, para se situata të bëhet e rrezikshme dhe të dalë jashtë kontrollit.

Sipas burimeve, tensioni midis autoriteteve dhe refugjatëve ka nisur që prej pasdites së të dielës, pasi në rrjetet online filloi të qarkullonte një video, në të cilën shfaqej një agjent policie me një thikë në dorë, teksa kërcënonte dhe qëllonte njërin prej emigrantëve në ishull.

Pak minuta më vonë, po i njëjti polic – sipas burimeve, – i jep një të shtyre me trup një tjetër emigranti për ta larguar. Pikërisht pas shpërndarjes së këtyre imazheve, filmuar nga një fotograf, polici është pezulluar nga detyra dhe një hetim është hapur në lidhje me çështjen në fjalë.

Top Channel