70 vite nga fundi i luftës, ende fantazma konfliktesh në Azinë Lindore

12/08/2015 00:00

70 vite pas humbjes së Japonisë në Luftën e Dytë Botërore, trashëgimia e atij konflikti ndjek ende Azinë Lindore, teksa pajtimi duket i paarritshëm.

Kryeministri japonez, Shinzo Abe shpreson të largojë njëherë e përgjithmonë këto fantazma përmes një deklarate gjatë së premtes, kur do të shënohet edhe 70-vjetori i fundit të luftës, por në vend të kësaj mund të rrezikojë t’i ndezë edhe më shumë tensionet. Ai pritet të shprehë “keqardhje të thellë” në fjalimin e tij.

Por Kina dhe Korea e Jugut, ku kujtimet e hidhura të veprimeve ushtarake japoneze gjatë së kaluarës janë rrënjosur thellë, duan që Abe t’i qëndrojë asaj “faljeje të përzemërt” historike të vitit 1995, nga ish-kryeministri Tomiichi Murayama, për vuajtjet e shkaktuara nga “regjimi kolonial dhe agresioni” i Japonisë.

Vetë Abe dëshiron të ruajë shkrirjen e marrëdhënieve mes Kinës dhe Japonisë, sidomos përpara një vizite të mundshme të tij në Pekin. Ai duhet gjithashtu të kënaqë edhe aleatët e Shteteve të Bashkuara, që mbeten të vendosur të ulin tensionet në një rajon, ku shqetësimet janë duke u rritur prej këmbënguljes ushtarake të Kinës.

Mbështetësit konservatorë të Abes, gjithsesi, duan t’i japin fund atij që ata e konsiderojnë si një cikël poshtërues faljesh.

“Ajo që Abe duhet të bëjë për të lëvizur në ujëra të qeta është të thotë diçka që miqtë e tij më të ngushtë mund të ‘shesin’ në Uashington”, thotë Andreë Horvat, një profesor i jashtëm i Universitetit Ndërkombëtar të Josait, në Tokio, duke iu referuar rrethit të ngushtë të Uashingtonit.

“Deklarata e Murayamas është një standard i artë, por ne e dimë se Abe, thellë-thellë nuk dëshiron të thotë atë që është shkruar në deklaratën e Murayamas”, shtoi Horvat. “Abe do të përpiqet të kënaqë sa më shumë palë të mundet në këto rrethana”.

Top Channel