Rilindasi i fundit, De Biasi

12/08/2015 00:00

Fadil Lepaja – Atë që bëri Skënderbeu me shpatë, bëri me pendë edhe i madhi De Radë. Pastaj vjen De Biasi…me top. Këtë të parën e tha dikush tjetër, ndërsa këtë të dytën e thashë vetë. Jo vetëm për rimë, por edhe për …le krejt. Arsyetimi e humb lezetin e këtij llafi.

Jo, se jam me futbollin! Nuk e shikoj këtë sport luftarak, dhe nuk më rastis të shkruaj për të përderisa ai nuk shndërrohet në politikë. E politikës nuk i rezistojmë dot. E si t’i rezistosh? Kush e përfaqëson kombin më mirë se futbolli politik?

Për shembull në Maqedoni mundesh me e sha presidentin me nënë e babë, kryeministrin apo këdo tjetër dhe do të qeshin me ty. Por kur humbë Vardari, pavarësisht se prej kujt… dihet rregulli: rrihen shqiptarët! Sepse në këtë vend, shqiptarët janë fajtorë kujdestarë. Kush të qëllon në rrugë… e përse të qëllojë në rrugë pikërisht kur humb Vardari, do të thuash ti? Po pra! Kur humb Vardari duhet të mbylleni në shtëpi. Çdo çudi, veç tri ditë miku im. Me një aneks të veçantë, duhet të specifikohet kjo çështje, në dokumentin e Marrëveshjes së Ohrit!

Edhe këndej jemi në konfuzion! E si të mos jemi? Pastaj, cili ushtar i UÇK përfshi edhe Zahir Pajazitin, apo Adem Jasharin, kishte apo ka publicitetin e Lorik Canës, për shembull? Cili ishte më patriot? Asnjëri! Sepse, asnjëri nuk e kishte në krah tatunë me shqiponjë! Asnjëri nuk adhurohej për të gjallë aq shumë nga mediat dhe …vajzat. Asnjëri nuk e rrahu “armikun” mu në Beograd! Po de, të atij Lorikut i cili në mes të Beogradit po i mëshonte turinjve një futbollisti serb, i cili dorën në zemër e kishte sulmuar përpara! Vëp, e vëp, e vëp! E zhdëpi! Pastaj edhe ky i yni mori grushte, por … kush i numëronte! Për vatan! Aq e kishte kjo punë! U desh të fillonte dhe për këtë po thuhet se mjaftoi një… “ballist”! Të gjithë, pa përjashtim, nëpër media u pajtuan se “ballisti” e meritonte t’i plotësohej ëndrra e tij, të kishte një vinç personal dhe të shlyejë kredinë e shtëpisë. Madje një miliarder shqiptar premtoi që këtë ëndërr t’ia bënte realitet.

Kështu, ndodhi çfarë ndodhi, serbët të pamësuar të frenojnë veten, madje as para publikut, “rrëshqitën në lëvoren e bananes”. Aq më tepër që kësaj radhe rrëshqiti … vetë publiku. Për shtetin jemi mësuar. Të tjerat dihen. Pas një lufte epike në tavolinat ndërkombëtare edhe kombëtarja më në fund i mori të gjitha pikët. Tjerat janë pjesë e historisë më të re kombëtare. Me ballistë e me partizanë. Veç të përfshirë nga teknologjia e lartë. Edhe kodi i mikpritjes, burrnisë…në version elektronik.

A do të fluturojë ndonjë “dron” mbi “Qemal Stafë”? A do të valëvitet flamuri i Serbisë së Madhe, në çfarëdo forme. A do të punojë imagjinata, apo arroganca e njohur serbe? Kryeministri Rama tha se nëse do të ndodhte kështu, ne do të qeshnim. Pra çfarë mendoni? Në Elbasan, do të shihet mikpritja shqiptare, ku sipas informatës së fundit do të luhet ndeshja e kthimit, nëse krejt kjo nuk është për të hutuar tifozerinë? Nëse ndodhte të caktohej Shkodra, atëherë kjo do të mund të përfshinte në “luftë” edhe Malin e Zi. Por, pa frikë, ne do të shqyhemi së qeshuri, kryeministër. A nuk është për të qeshur me pretendime territoriale, sot, kur të gjithë klithin për hapje të kufijve?

E pse jo, i mundur është vetëm ai “armik” i cili ka mbetur prapa me ëndrrat. Pra, qeshu tifozeri, qeshu! Tifozët e kuq e të zi, edhe ata me “trobojka” do jenë në shkallët e stadiumit. Polici, civil dhe me uniformë do të ketë më shumë se tifozë. Do të shiten “kokoshkat” dhe patatinat. Edhe një lum i përkohshëm do të shtohet në hartën e Shqipërisë etnike: Lumi i Birrës! E do “brune” apo “bionde”? Do të jenë edhe plisat aty, të cilët, edhe humbjen e merituar, sportive të Kukësit, në terren të vet, e shndërruan në humbje “epike”, (pra, një humbje në tavolinë) e cila do të këndohet në sharkia! Diqysh, duket si humbje “me fytyrë”. Si burrat. I rrahëm paq, polakët. Mos më pyetni, kush është i miri dhe i keqi në këtë histori. Jo çdo histori ka skemë të njëjtë! Në historinë time, ne jemi të mirët, kuptohet!

Por, ta lëmë anash politikën dhe të flasim për sport: A do të vijë edhe vëllai i Kryeministrit serb, Vuçiç, me e pa ndeshjen sikurse vëllai i Kryeministrit shqiptar, i cili mori pjesë në ndeshjen “histerike” në Beograd? Apo do të vijë vetë Kryeministri serb? Pastaj, a ka vëlla z. Vuçiç? Edhe nëse nuk ka, përse nuk ka? E komplikuar, kjo çështja kombëtare!

Por “google”, miku më i madh i shqiptarëve, pas NATO-s dhe CIA-s, thotë se Vuçiçi paska vëlla! Edhe atë, një civil që ecën me truproje nëpër Beograd, dhe të cilin së voni xhandarmëria serbe e kishte zhdëpur në dru, pikërisht në ditën e paradës së homoseksualëve në Beograd! Si thotë “google” ynë, kjo paradë nuk ishte pritur nga serbët hiç më mirë sesa kombëtarja jonë! Jo se ka ndonjë ngjashmëri në mes këtyre dy ngjarjeve, përpos fobisë si fenomen kolektiv serb. Fobisë ndaj të tjerëve, ndaj të ndryshmeve!

Tash, Vuçiçi jozyrtar, nuk kishte qenë pjesë e paradës LGBT, por si duket e “hëngri” në tollovi dhe atë vetëm për shkak të vëllait “të madh”, pra për motive politike!

Nuk më pëlqen fare futbolli, po i thosha një miku virtual, dhe si çdo shqiptar debutues, fillova me e kontestuar “madhështinë” e këtij sporti luftarak, (ndër)kombëtar në të cilin deri vonë, me rilindjen tonë italiane, flamurin 100 metrash e shpalosnim kryesisht sikur në ceremoni mortore, në shenjë pikëllimi për humbjet që do të pasonim. Atë që bëri De Rada me pendë, bëre ti me top o i madhi, De Biasi! Skënderbeu, De Rada, pastaj De Biasi!

Edhe Ballisti, Edhe Cana! Edhe tifozeria shqiptare, qoftë me plisa, apo me xhamadana vija-vija, duhet të mësohen të qeshin, edhe lojtarët të luajnë! Nëse humbim, të gjithë në protesta, te sheshi! Edhe të kërkojmë të ndërrohet qeveria! Është bërë lëmsh, sporti! Më falni, se desha të them, politika!

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel