Shkatërrohet rrjeti i trafikantëve me 4 shqiptarë; 5 mijë stërlina për të hyrë në Britani

12/08/2015 00:00

Dy gra franceze dhe 4 shqiptarë kanë rënë në rrjetën e agjentëve të fshehtë të Policisë kufitare, pasi ata trafikonin shqiptarë që kërkonin të kalonin nga Franca për në Britani përmes Portit të Kalesë (Calais).

Ky rrjet ka dërguar rreth 100 shqiptarë për në Britani, së fundmi, duke u marrë nga 5 mijë stërlina secilit për hipjen e tyre në mënyrë klandestine nëpër maune, që mbërrinin në terriorin britanik.

Hetimi ndaj këtij rrjeti kriminal ka zgjatur 5 muaj dhe dy francezët jetonin me 4 shqiptarët, të cilët mendohet se kanë qenë truri i kësaj skeme trafikimi, që ka filluar të operojë në fillim të këtij viti.

Sipas burimeve policore, të cilave u referohet tabloidi britanik “the Daily Mail”, trafikantët operonin në bashkëpunim me shoferët e mauneve, të cilët paguheshin me parà në dorë (cash) për çdo emigrant, që hipte në pikat e pushimit nëpër autostrada dhe më pas transportoheshin fshehurazi nga Franca për në Britani, të cilët më tej priteshin në territorin britanik nga bashkëkombas të tyre, që jetojnë në ishull.

Nuk janë vetëm rrjetet shqiptare të trafikantëve, por njoftohet edhe për grupe kriminale britanike, që organizojnë trafikimin jo me maune e kamiona, por me automjete me targa angleze dhe makina të tonazheve të vogla, për t’iu ikur dyshimit nga policia.

Pavarësisht situatës së nderë në portin francez të Kalesë (Calais), vazhdojnë të vijnë çdo ditë me dhjetëra shqiptarë në Britani në mënyrë ilegale, ku shumë prej tyre tashmë vijnë nga Gjermania, apo edhe shqiptarë të rikthyer më parë në Shqipëri apo Kosovë, nga Britania.

Edhe pse autoritetet britanike të emigracionit kapin jo pak emigrantë ilegalë, mendohet se një numër më i madh të rinjsh dhe minorenësh arrijnë që të depërtojnë në terroritin britanik.

Top Channel