Rrëzimi i avionit të MH17, gjurmë predhash në vendngjarje

12/08/2015 00:00

Në vendin ku u rrëzua avioni i “Malaysian Airlines”, në Ukrainën lindore gjatë vitit 2014, janë gjetur pjesë që mund t’i përkasin sistemit të predhave ruse “Buk”. Lajmin e bëjnë me dije BBC dhe Associated Press, bazuar në të dhënat e hetuesve holandezë të çështjes.

Sipas prokurorit holandez, Fred Westerbeke, që udhëheq hetimet mbi çështjen, në vendngjarje janë gjetur 7 fragmente copëzash, që nuk i përkasin avionit “Boeing” të fluturimit MH17, por një sistemi raketor.

Ato që mund të quhen mbetje të një predhe, prodhuar në Rusi – shton hetuesi, – janë marrë gjatë një operacioni kërkimor të mëparshëm në Ukrainë dhe janë të një rëndësie të veçantë, pasi falë tyre mund të gjenden të dhëna mbi faktin se kush është përfshirë në ngjarje.

Qeveria e Kievit dhe aleatët e saj perëndimorë, prej kohësh ia kanë njohur autorësinë separatistëve prorusë në juglindje të Ukrainës. Sipas tyre, avioni “Boeing 777” është qëlluar me një sistem predhash “Buk” të marrë nga Moska.

Për momentin, asgjë nuk është cilësuar si përfundimtare – bën me dije BBC, – dhe nëse Kievi e drejton akuzën e tij ndaj prorusëve, Rusia nga ana tjetër ua hedh fajin forcave të armatosura ukrainase, duke pohuar se predha që ka goditur avionin është hequr nga prodhimi që prej vitit 1999 dhe e kanë në zotërim vetëm forcat e armatosura të Kievit.

Në bordin e avionit të “Malaysian Airlines” udhëtonin 298 persona, ndër të cilët 80 ishin fëmijë.

Top Channel