Kinë, zhvlerësohet monedha vendase. Rënie historike

12/08/2015 00:00

Pas vendimit të Bankës Popullore të Kinës, të ditës së hënë, për të zhvlerësuar monedhën vendase, një zhvlerësim i dyfishtë i është bërë të martën dhe të mërkurën, përkatësisht me 1.9% dhe 1.62%.

Juani u zhvlerësua sërish me hapjen e tregjeve aziatike, duke sjellë edhe zhvlerësimin e produkteve kineze, kryesisht ato të lëndëve të para, si nafta dhe mineralet, që deri më sot kishin ruajtur vlera pozitive.

Gjithashtu, në tregjet perëndimore kanë pasur vështirësi edhe prodhuesit e të mirave të luksit, siç janë ata të automjeteve, modës dhe argjendaritë. Vendimi i zhvlerësimit të monedhës kineze ka ngjallur frikë në tregje, për një zinxhir zhvlerësimesh në monedhat fqinje të lidhura me tregun aziatik, siç janë ato të Australisë, Koresë së Jugut dhe Singaporit.

Por, sipas këndvështrimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, zgjedhja e Bankës Qendrore kineze për zëvendësimin e taksës së shkëmbimit të mallrave me një mekanizëm, që i jep një rol më përcaktues, është një hap pozitiv. Sipas një zëdhënësi të FMN-së, një fleksibilitet i taksave do t’i mundësojë qeverisë së Pekinit një integrim më të shpejtë në tregjet financiare botërore.

Por, lajme të këqija vijnë mbi realizimin e të ardhurave kineze gjatë muajit korrik. Sipas zyrës së statistikave lokale, ekonomia që ka njohur vetëm rritje të prodhimit, duket se ka vijuar frenimin e saj gjatë muajit korrik, duke realizuar një rritje prej 6%, krahasuar me 6.8% gjatë muajit qershor.

Ekspertët i tremben një frenimi të rritjes ekonomike, duke marrë për bazë të dhënat në investime publike dhe rënien e eksporteve, që sipas tyre shënojnë vlerën më të ulët që prej vitit 2000.

Top Channel