F1, Volf për Ferrarin: Po na kërcënon seriozisht

12/08/2015 00:00

Ferrari po e kërcënon seriozisht Mercedesin. Kjo është ajo që ka deklaruar Drejtori Sportiv i skuadrës gjermane, Toto Volf për rivalitetin e kokëkuqes italiane në këtë Botëror të Formula 1.

Sezoni nisi me suksesin e Hamilton dhe Rosberg në Australi, por Ferrari u kundërpërgjigj duke fituar në Malajzi me Sebastian Vettel. Më pas, skuadra gjermane fitoi 7 gara radhazi deri në Çmimin e Madh të Hungarisë, kur Vettel u dha një tjetër shuplakë pilotëve të saj.

“Malajzia ishte padyshim një alarm zgjimi. Pas garës së Melbërnit e ndjemë se e kishim situatën nën kontroll, por u kapëm në befasi për arsye të ndryshme. Po ta shohim me kujdes, një shuplakë e tillë mund të rezultojë si diçka pozitive. E dimë që ky kërcënim i Ferrarit është mëse real”, ka thënë Volf për Motosport.com.

Renditja e përgjithshme për pilotë në Botërorin e Formula 1 kryesohet nga Ljuis Hamilton, ndërkohë që Vettel ndodhet në vendin e tretë, me 42 pikë më pak se britaniku. Përsa u përket konstruktorëve, Mercedes ka një avantazh prej 147 pikësh me Ferrarin, por për Volf kampionati ende nuk ka përfunduar, pasi ka ende shumë gara për t’u zhvilluar.

“Ende nuk e kemi fituar kampionatin. Jemi ende në mes të sezonit. Koha ka treguar se disa skuadra shfaqin probleme e disa të tjera përmirësohen ndjeshëm. Kështu që është më mirë të qëndrojmë me këmbë në tokë. Janë edhe 9 gara për t’u zhvilluar dhe vetëm në fund të kampionatit mund të jap një përgjigje të saktë për këtë kampionat”, ka vijuar Volf.

Top Channel