Sezoni turistik në Durrës, 8 fëmijë humbin çdo ditë në plazh

12/08/2015 00:00

Humbja e fëmijëve në plazhet e mbushura me pushues është një nga problemet më shqetësuese të këtij sezoni.

Në mungesë të rojeve të plazhit, barra për gjetjen e tyre, përveç familjarëve të alarmuar, bie mbi policinë dhe qytetarët. Çdo ditë raportohen në polici 6-8 raste personash të humbur, kryesisht fëmijë, në plazhet e Durrësit.

Prindërit pranojnë se, ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm, po kërkojnë dhe praninë e mbështetjen e rojeve të plazhit, që këtë sezon veror mungojnë.

Pavarësisht masave të marra për rritjen e sigurisë për pushuesit, Policia e Durrësit apelon për më shumë kujdes nga prindërit.

Përveç kujdesit që duhet të tregojnë prindërit apo shoqëruesit e tyre në plazhe, për të mos i humbur ata nga sytë, duhet dhe t’i edukojnë në rast se ndodh shkëputja, që të mos përfshihen nga paniku, por të kërkojnë ndihmë.

Madje, t’u mësojnë numrin e tyre të telefonit, ose për fëmijët më të vegjël ky numër t’u shkruhet në veshjet e tyre. Një tjetër këshillë për prindërit është të mos humbasin kohë, nga momenti që konstatojnë humbjen e fëmijës, pasi kjo e bën më të vështirë gjetjen e tyre.

Top Channel