Ndryshime trajnerësh te kombëtaret e moshave. FSHF emëron Jupin e Bellain

12/08/2015 00:00

Redi Jupi dhe Arjan Bellai do të jenë trajnerët e rinj të Kombëtares shqiptare U21 dhe asaj U19. Ky është vendimi i Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila u ka besuar këtyre dy pjesëtarëve të brezit të artë të përfaqësueses shqiptare, skuadrat nga të cilat dalin elementë që furnizojnë Kombëtaren A.

“Ky është vetëm një vazhdim i një pune të filluar. Lojtarët i njoh dhe, padyshim që i kam parë me një tjetër sy, me synimin për t’i promovuar e për t’i futur në ekip, ndërsa tani do të kem një tjetër pozicion. Tashmë duhet punuar për të krijuar një sistem loje, që do t’i nxjerrë në pah këta lojtarë të afruar. Koha në dispozicion nuk është e tepërt, megjithatë ju garantoj se do të bëj më të mirën në këtë rol”, u shpreh Redi Jupi, trajneri i ri i Kombëtares U21.

“Kam qenë pjesë e këtij grupi edhe me Altinin, futbollistët janë të njëjtët dhe ndër ta ka shumë talentë, të cilët duhen ndjekur si jashtë Shqipërisë edhe këtu brenda. Tashmë është krijuar një grup dhe do të përpiqemi të paraqitemi sa më mirë në kualifikueset”, tha Arjan Bellai, trajner i Kombëtares U19.

Më pas trajneri i U21, Redi Jupi i është rikthyer përplasjes së fundit mes Federatës dhe Ministrisë së Sporteve, në lidhje me pajisjen me pasaportë të lojtarëve shqiptarë, që kanë lindur jashtë Shqipërisë.

“Çdo pasaportë e pabërë patjetër që na prish punë, jo vetëm për ekipin kombëtar U21, por edhe për moshat më të reja, sidomos për ekipet me lojtarë minorenë. Gjej rastin të bëj thirrje ndaj institucioneve kompetente të na ndihmojnë në këtë aspekt, sepse në fund të fundit po ftojmë djemtë shqiptarë që të luajnë me ekipin kombëtar”, u shpreh më tej Redi Jupi.

Kombëtarja U21 bën pjesë në grupin 4 për kualifikueset e Europianit të kësaj grupmoshe dhe përballjet e para të Jupit, si trajneri i kësaj përfaqësueseje, do të jenë në shtator ndaj Izraelit dhe Portugalisë.

Zëvendëstrajner i kombëtares së kësaj grupmoshe do të jetë Vasillaq Zëri, ndërsa ai i Kombëtares U19 do të jetë Sulejman Demollari.

Top Channel