Incidentet ndëretnike në Maqedoni, autorët nuk identifikohen edhe pse ka pamje filmike

12/08/2015 00:00

Ajo që i bën të ngjashme incidentet ndëretnike të viteve të fundit në Maqedoni, nuk është vetëm fakti që viktima janë shqiptarët, por edhe fakti se policia nuk ka arritur të identifikojë thuajse asnjërin prej dhunuesve maqedonas.

Policia maqedonase nuk ka ndaluar apo marrë në pyetje asnjë të dyshuar, edhe për rrahjen e mbrëmjes së të dielës në Shkup, pavarësisht se incidentet kanë ndodhur para kamerave të sigurisë.

Për të gjitha rastet e deritanishme, policia ka dhënë të njëjtën përgjigje: Janë marrë në pyetje të rrahurit dhe po punohet për zbardhjen e incidentit dhe gjetjen e autorëve të sulmit ndaj të rinjve shqiptarë në Shkup.

Këtë përgjigje, policia maqedonase e ka përsëritur edhe në mars të vitit 2012, kur rreth 20 persona sulmuan nxënësit shqiptarë të shkollave nga fshati Çiflig i Shkupit, të cilët po ktheheshin me autobusë urbanë në fshatin e tyre.

Që do të zbulonte dhunuesit, policia maqedonase premtoi edhe një tjetër herë gjatë vitit 2012, pas ndeshjes së futbollit mes dy klubeve tetovare, Shkëndija dhe Teteksi, kur huliganët maqedonas rrahën disa të moshuar dhe një vajzë 15-vjeçare në një autobus urban.

Policia maqedonase premtoi zbardhjen e incidenteve edhe gjatë vitit më të përgjakshëm të 2013-s, gjatë të cilit huliganët maqedonas sulmuan 4 të rinj shqiptarë në lagjen “Aerodrom” si dhe shtëpitë dhe veturat e shqiptarëve në lagjen “Nerez” të Shkupit.

Dhuna nuk mungoi as në vitin 2014, kur disa huliganë maqedonas rrahën babain me dy djemtë e tij, në afërsi të lagjes “Nerez”.

Dhuna u rikthye edhe këtë vit. Njësoj siç u rikthyen edhe premtimet, thuajse të kota, të policisë maqedonase se do të zbulojë dhunuesit. Së bashku me rikthimin e dhunës ndëretnike dhe deklaratave të njëjta policore, rikthehet edhe dyshimi i shprehur publikisht nga disa opinionistë në Maqedoni se, është e kotë të presësh që porositësit të zbulojnë emrat e dhunuesve të paguar.

Top Channel