Dita ndërkombëtare e Rinisë, marrëveshje Shqipëri-Kosovë për aktivitetet

12/08/2015 00:00

Punësimi dhe rritja e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje ishin temat, që përshkuan aktivitetet e organizuara në kryeqytet në Ditën ndërkombëtare të Rinisë.

Pas firmosjes së një marrëveshjeje mes Ministrisë shqiptare të Rinisë dhe asaj të Kosovës, që synon të shtojë aktivitetet e përbashkëta, në ambientet e Qendrës Rinore u zhvillua një ekspozitë fotografike me temë “Unë marr pjesë”.

Aktiviteti u zhvendos më pas në Pedonalen e kryeqytetit, që për 6 orë u shndërrua në një “atelie pikture” me pjesëmarrjen e shumë të rinjve nga Kosova dhe nga Universiteti i Arteve të Tiranës.

“Një nga motot tona është fuqizimi i rinisë, gjë që arrihet vetëm me punë. Puna vjen gjithnjë jo vetëm nëpërmjet nxitjes me fonde buxhetore, por edhe nëpërmjet vetëpunësimit”, tha Merita Xhafaj, drejtoreshë e Politikave Sociale, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

“Ne si institucione kosovare, por edhe nga pala shqiptare, jemi shumë të interesuar të inkurajojmë të rinjtë sidomos në lidhje me rritjen e pranishmërisë së tyre në proceset e vendimmarrjes, që lidhen me sektorin e rinisë”, u shpreh Xhevat Bajrami, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

Dita ndëkombëtare e Rinisë përmbyllet në mbrëmje, me një koncert po në Pedonalen e Tiranës, me pjesëmarrjen e shumë këngëtarëve nga Kosova dhe Shqipëria.

Top Channel