Shpërthimi te “Don Bosko”, arrest me burg pronarit të pastiçerisë. Masa, në spital

12/08/2015 00:00

Gjyqtari Agron Zhukri dhe prokurori i çështjes, Valentin Preçi, zhvilluan seancën gjyqësore në Repartin e Djegie-Plastikës ndaj të dyshuarit Abdullah Dervishi, i cili po kurohet në këtë spital për plagët e marra nga shpërthimi i një bombole gazi në Tiranë.

Prokurori ka deklaruar në seancën me dyer të mbyllura se Dervishi dyshohet për veprat e shkeljes së rregullave të sigurisë teknike, me pasojë plagosjen dhe rrezikimin e 10 qytetarëve si dhe shkatërrimin e pronës nga pakujdesia.

Ndërkohë, i moshuari, pronar i ëmbëltores ku edhe shpërtheu bombola e gazit, pas përpjekjes së tij për ta riparuar, ka deklaruar se nuk mbante mend asgjë. “Nuk e di se çfarë ka ndodhur”, mësohet t’u ketë thënë gjykatësve i moshuari.

Gjyqtari Agron Zhukri ka vendosur masën “arrest me burg”, pasi sipas gjykatës gjendja shëndetësore e Abdullah Dervishit nuk është e rëndë dhe nuk rrezikohet jeta e tij. Megjithatë, derisa ai të kurohet, i dyshuari do të mbahet në spital nën masën e arrestit.

Top Channel