Kaosi i mbushjes së bombolave, dhjetëra pika të palicencuara mes pallateve në Tiranë

12/08/2015 00:00

Kamera e Top Channel ka qenë në një ndër pikat, ku mbushen bombolat e gazit në Tiranë. E improvizuar në një shtesë në katin e parë të një pallati, ajo përbën rrezik serioz për jetën e banorëve të tij, por edhe të qytetarëve që shkojnë për të mbushur bombolën aty.

Personi që e ofron këtë shërbim nuk është i licencuar dhe nuk njeh as elementët e sigurisë, për të informuar qytetarët në lidhje me përdorimin e tyre. Por, si kjo pikë ka plot në rrugët dhe lagjet e Tiranës, të cilat mbushin bombola gazi që i përdorin qytetarët në shtëpitë e tyre, edhe pse shumë prej këtyre bombolave u ka kaluar afati i përdorimit dhe nuk duhen mbajtur më në shtëpi.

Këtë e konfirmojnë edhe institucionet shtetërore, të cilat thonë se ky treg është i pakontrolluar dhe bizneset e familjarët përdorin ende bombola të dala jashtë përdorimit.

Incidenti i para pak ditëve në rrugën “Don Bosko” duket se i ka frikësuar sadopak edhe ata që e ofrojnë këtë shërbim në mënyrë të kundërligjshme.

TCH: Ju mbushni bombola gazi?
Shitësi: Jo, e kemi mbyllur për momentin. Ka rreth një javë. Të lutem mos filmo.
TCH: Po pse e keni mbyllur?
Shitësi: E kemi mbyllur sepse nuk mund të tregtojmë më gaz.
TCH: Po deri para një jave ka funksionuar? Dmth këtu i mbushnin njerëzit bombolat?
Shitësi: Jo, nuk i mbushnin këtu (mbyll qepenin).

Por janë qytetarët, ata që tregojnë se ende vazhdojnë t’i mbushin bombolat në këtë pikë.

“Bombolat e gazit i mbush ose në një pikë të vogël këtu (e tregon me gisht), por është edhe një pikë te karburanti. Edhe pse nuk kemi siguri, mbase mund të na ndodhë edhe neve ndonjë gjë, e bëjmë por me frikë. Unë e kam bombolën e re, nuk e kam ende atë frikë, por nga ç’kemi dëgjuar, të frikshme dhe të rrezikshme janë”, thotë banorja.

Në të shumtën e rasteve, qytetarët u drejtohen pikave të karburanteve, pasi mendojnë se këto janë pika të autorizuara për të ofruar këtë shërbim.

“Përdor bombola gazi në shtëpi dhe i mbushim këtu te kjo pika e karburantit. Nuk e di nëse është i licencuar për këtë shërbim apo jo, por di që këtu i mbushin të gjithë”, thotë një tjetër banor.

Dy ditë më parë, drejtoresha e Inspektoriatit Qendror Teknik deklaroi sesi karburantet e kanë të ndaluar me ligj të mbushin bombola gazi për konsum familjar. Ato janë të licencuara vetëm për automjetet që përdorin gaz.

Në një kohë kur, as institucionet shtetërore nuk e kanë ndaluar ende këtë aktivitet të paligjshëm, u mbetet vetë qytetarëve që të tregojnë kujdes për sigurinë e tyre, duke mos zgjedhur pikën më të afërt që e ofron këtë shërbim, por t’u drejtohen subjekteve të licencuara.

Top Channel