Çështja “Frroku”, avokati i deputetit: Gjykata ka tejkaluar afatin

12/08/2015 00:00

Avokati i deputetit Mark Frroku i bën apel Gjykatës së Lartë që të ndërpresë pushimet dhe të shqyrtojë kërkesën për lirimin e klientit të tij. Saimir Visha tha se ka kaluar afati për shqyrtimin e kësaj kërkese dhe sipas tij, Frroku duhet të lirohet.

“Ka kaluar afati, çka e shuan masën e sigurisë. Gjykata e Lartë duhet patjetër të mbledhë një trup gjykues dhe gjatë kohës që ata janë me pushime, situata favorizon të mbrojturin. Kur nuk respektohet afati për një deputet mendoni se ç’bëhet për një qytetar të thjeshtë”, ka deklaruar Visha.

“Gjykata e Lartë duhet të mblidhet urgjentisht pasi afatet procedurale për kërkesën tonë kanë kaluar. Ligji procedurial e ka 5 ditë nga depozitimi dhe 10 gushti ka qenë afati”, ka vijuar ai.

Mbrojtja ka vendosur garanci 10 mijë euro për lirimin, ndërsa kërkon që Gjykata e Lartë të japë gjithashtu pëlqimin që Frroku të ndjekë procesin në Belgjikë.

“Nga gjykata belge nuk ka ardhur asnjë vendim për kalimin e procesit në Shqipëri, ndërsa hetimi është nsiur nga prokuroria shqiptare. Ne jemi person nën hetim, gjë që është nonsens dhe në bazë të konventës evropiane kemi dhënë pëlqimin që më 10 tetor të jemi të pranishëm në gjykatën belge”, ka shtuar Visha. 

Top Channel