Dita ndërkombëtare e Rinisë, aktivitete edhe nga Komuna e Prishtinës

12/08/2015 00:00

Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë shënuar me aktivitete të shumta Ditën ndërkombëtare të Rinisë.

Të gjitha aktivitetet janë vendosur në Parkun e Gërmisë, në Prishtinë, ku janë zhvilluar gara në shah, aktivitete akrobatike, pikado, gjuajtje në shenjë, pikturë, kontrollimi i grupit të gjakut, stimulimi i ndihmës së parë, e të tjera.

Drejtoresha e Departamentit të Kulturës, në Komunën e Prishtinës, Saranda Bogujevci tha se po punohet, që të rinjve t’iu jepet sa më shumë hapësirë për aktivitetet e tyre.

“Qëllimi është që të ketë sa më shumë aktivitete nëpër lagje të ndryshme të qytetit. Por më me shumë rëndësi është bashkëpunimi i të rinjve, krijimi i hapësirës për ta ku të mund t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre, e në të njëjtën kohë edhe të avancohen në karrierën e tyre, ta gjejnë veten në realitet se çfarë duan për të ardhmen e tyre. Me rëndësi mendoj se është edhe t’i dëgjojmë ata e të bashkëpunojmë për t’iu krijuar këto kushte”, tha Saranda Bogujevci, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës, në Komunën e Prishtinës.

Gjatë kësaj dite, Komuna e Prishtinës ka organizuar edhe një debat me temë: “Roli i të rinjve në zhvillimin e kryeqytetit”.

Të gjitha këto aktivitete kanë filluar prej orës 11:00, ndërsa përmbyllja është parashikuar të bëhet me një koncert që do të zgjasë 3 orë i artistëve të rinj.

Dita ndërkombëtare e Rinisë shënohet çdo vit më 12 gusht dhe synon promovimin e aktiviteteve për të rinjtë, ndërsa u miratua me një rezolutë të posaçme nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1999.

Top Channel