Demarkacioni me Malin e Zi, Mustafa: Nuk prek asnjë cm të Kosovës

12/08/2015 00:00

Qeveria e Kosovës siguron qytetarët se përcaktimi i kufirit me Malin e Zi nuk e ndryshon territorin e Kosovës për asnjë centimeter katror.

Në këtë mënyrë u deklaruan kryeministri Isa Mustafa, zëvendësi i tij Hashim Thaçi dhe kryetari i komisionit shtetëror për përcaktimin e kufirit, Murat Meha.

Meha ishte i ftuari i qeverisë për të prezantuar raportin e punës, i cili mori aprovimin e kabinetit qeveritar pa ndonjë debat të veçantë.

“Ajo për të cilën ne jemi të interesuar është se, a ndryshon sipërfaqja e Republikës së Kosovës me rastin e përcaktimit të këtij kufiri? Komisioni ka dëshmuar se sipërfaqja nuk ndryshon për asnjë centimetër katror dhe po ashtu nuk ndryshon sipërfaqja e komunës së Pejës”, deklaroi kryeministri Isa Mustafa.

“Komisioni, me përgjegjësi të plotë, me transparencë të plotë dhe me argumente të dokumentuara në formë analoge dhe dixhitale vërteton se territori i Kosovës nuk ndryshon për asnjë cm katror dhë komuna e Pejës, që ka pasur në territorin e vet 602.2 km në vitin 1974, të njëjtën sipërfaqe ka edhe sot”, sqaroi kryetari Meha.

Të njëjtin vlerësim bëri edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, i cili për shkak se komisioni ka nisur punën në mandatin e tij qeverisës theksoi se komisioni për tri vite me radhë ka hulumtuar dhe shqyrtuar gjithë gjeo-informacionin e nevojshëm dhe si përfundim jep garanci se ky proces nuk tjetërson territorin e Kosovës.

“Në bazë të raportit, sipërfaqja është në përputhshmëri të plotë me linjën kufitare sipas Kushtetutës së vitit 1974, me planin e Ahtisarit dhe Kushtetutën aktuale. Komisioni shtetëror garanton se me përcaktimin e kufirit me Malin e Zi nuk do të tjetërsohet asnjë milimetër katror i territorit të Republikës së Kosovës”, theksoi Thaçi.

Gjatë prezantimit të raportit në kabinetin qeveritar, kryetari i komisionit, Murat Meha tha gjithashtu se janë trajtuar materiale të zonave kadastrale të periudhave të ndryshme, duke vënë theksin tek pakoja e Ahtisarit, një dokument ky që, siç tha ai, e thotë shumë qartë se ku duhet të jetë kufiri.

Sidoqoftë, ky proces nuk pritet të kalojë pa qëndrime kundër, të cilat tashmë janë pjesë e debatit publik në Kosovë. Ekspertë të hartografisë dhe përfaqësues të opozitës, mes tyre Ramush Haradinaj pretentojnë se Mali i Zi do t’i marrë Kosovës të paktën 12 mijë hektarë tokë, territore që përfshijnë bjeshkët e Rugovës dhe prona private të banorëve.

Top Channel