Kore e Veriut, zv.kryeministri i ekzekutuar me urdhër të Kim Jong un

12/08/2015 00:00

Qeveria e Koresë së Jugut ka deklaruar këtë të mërkurë se po mbikëqyr disa të dhëna që tregojnë se zv.kryeministri i Koresë së Veriut është ekzekutuar në maj të këtij viti me urdhër të presidentit Kim Jong un.

Sipas Seulit zyrtar, Choe Yong gon është ekzekutuar pasi ka shprehur deklarata që nuk i kanë shkuar për shtat liderit të vendit lidhur me politikën pyjore.

Regjimi i Penianit rrallë herë i konfirmon raportimet e ekzekutimeve nga Jugu, të cilat tregojnë se janë rreth 70 zyrtarët që janë vrarë nën regjimin e Kim Jong un.

Sipas agjencisë koreano-jugore “Yonhap”, që citon burime pranë Ministrisë së Unifikimit, zv.kryeministri Choe ishte parë për herë të fundit në publik në dhjetor.

Gjithësesi, agjencia e informacionit jep vetëm pak detaje mbi ekzekutimin, por është gjithmonë e para që i raporton ato. Choe Yong gon ishte gjithashtu zv.ministër i Ndërtimit dhe Industrisë dhe ka përfaqësuar Korenë e Veriut në bisedimet tregtare të zhvilluara në Seul në fillim të viteve 2000.

Ai u caktua si një nga 7 zv.kryeministrat në qershor të vitit të kaluar dhe promovimi i tij u vlerësua në atë kohë nga analistët si një prirje e Penianit për të ruajtur lidhjet me Jugun.

Top Channel