Ish-ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis ka deklaruar se marrëveshja e fundit e ndihmës e arritur mes Greqisë dhe kreditorëve “nuk do të funksionojë”.

Në një intervistë për BBC, Varoufakis ka deklaruar se, të njëjtën bindje ndajnë edhe negociatorët që morrën pjesë në bisedimet e së martës.

“Ministri grek i Financave thotë pak a shumë të njëjtën gjë. Nga ana tjetër, pamë ministrin gjerman të Financave të shkonte në Bundestag dhe të thoshte se, marrëveshja nuk do të funksionojë”, ka thënë Varoufakis.

Sipas tij, Fondi Monetar Ndërkombëtar po lufton dëshpërimisht për një program të bazuar në një borxh tërësisht të paqëndrueshëm, “dhe sërish është një program për implementimin e të cilit po punojnë të gjithë”.

Zoti Varoufakis u shkarkua nga detyra e ministrit të Financave në fillim të muajit të kaluar dhe u zëvendësua nga Euclid Tsakolotos.

“Pyesni këdo që e njeh sado pak gjendjen financiare të Greqisë dhe keni për të parë se do t’ju thotë se plani nuk do të funksionojë”, ka vijuar Varoufakis.

Por më herët gjatë ditës, kryeministri grek Alexis Tsipras u shpreh optimist kur deklaroi se marrrëveshja do t’i japë fund pasigurisë ekonomike të vendit.

Ai pritet të thërrasë në një sesion të jashtëzakonshëm Parlamentin ditën e enjte për të ratifikuar marrëveshjen e së martës.

Top Channel