Kukës, konflikt mes dy familjeve për vijën e ujit; 3 të arrestuar

12/08/2015 00:00

Policia e qytetit të Kukësit ka vënë në pranga këtë të mërkurë tre shtetas, anëtarë të dy familjeve të ndryshme të përfshira në një konflikt pronësie.

Sipas një njoftimi për shtyp, në pranga kanë rënë shtetasit Shpëtim Meçi dhe Besmir e Selami Krasniqi, të moshave 47, 27 dhe 21 vjeç dhe banues të tre në fshatin Lomje të Kukësit.

Sipas një njoftimi të Drejtorisë lokale të Policisë, Meçët dhe Krasniqët janë përplasur me armë të ftohta dhe mjete bujqësore për kontrollin e një rrjedhe uji.

Për pasojë kanë mbetur të plagosur dy vëllezërit Krasniqi dhe Dashmir Meçi, djali i Shpëtim Meçit, që kishte dalë në ndihmë të të atit.

Sipas njoftimit, 18-vjeçari Meçi ndodhet aktualisht i shtruar në spitalin e Kukësit në gjendje të rëndë, ndërsa dy vëllezërit 27 dhe 21-vjeçar janë jashtë rrezikut për jetën.

Materialet i kanë kaluar tashmë prokurorisë së rrethit për procedim të mëtejshëm të çështjes ndaj tre të arrestuarve, nën akuzën e “vrasjes së mbetur në tentativë”.

Top Channel