Veliaj: Pazari i Ri, shumë shpejt në atraksion turistik

12/08/2015 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njoftoi nisjen e punimeve për projektin e Pazarit të Ri, për ta kthyer atë në një hapësirë tërheqëse turistike për kryeqytetin, Projekti, sipas Veliajt, pritet të përfundojë brenda një kohe shumë të shkurtër.

“Do të ketë gjithashtu edhe një vendim për të gjitha godinat që rrethojnë tregun. Do të këtë edhe një pastrim të rrugës “Qemal Stafa”, e cila nuk mund të jetë një rrugë që është epiqendra e rrangullinave të Tiranës, por do të jetë një rrugë e cila gjithashtu do të rinovohet për t’u bërë pjesë e kompleksit të Pazarit të Ri. Turizmi sot në Tiranë vuan për atraksione tipike vendase, përveç xhiros në sheshin ‘Skëndërbej’. Në pjesën e dytë të ditës, tregu i Pazarit të Ri do të jetë një hapësirë rekreative, ku me ushqime tradicionale apo me dyqanet e artizaneve do të mund të shfrytëzojmë hapësirën më shumë sesa vetëm në orët e paradites”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj iu përgjigj interesit të mediave edhe lidhur me kërkesën e ardhur nga Prokuroria e Tiranës për hetimin e lejeve të ndërtimit të dhëna nga ish-kryebashkiaku Basha.

“Kam një kërkesë të prokurorisë për një akuzë shumë të rëndë. Mbaj mend rreth 17 leje ndërtimi dhe sigurisht i kam kërkuar stafit të Bashkisë që të bashkëpunojë plotësisht me prokurorinë. Mesa duket, kjo ishte e pamundur me bashkinë e kaluar, me të cilën s’ka pasur bashkëpunim. Ndërsa stafi aktual i bashkisë po përgatit dosjet për të 17 lejet që ka kërkuar të hetojë prokuroria”, nënvizoi Veliaj.

Me herët, Veliaj prezantoi administratorët e njësive bashkiake numër 1 dhe 2, ku pastrimi i lagjeve, bashkëpunimi për lirimin e hapësirave publike, inspektimi i institucioneve arsimore, hartimi i listës së problematikave dhe i nevojave që zonat kanë për investime publike ishin disa nga porositë që kryebashkiaku dha për drejtuesit e dy njësive.

Top Channel