Blair: Laburistët rrezikojnë asgjësimin nëse fiton Corbyn

12/08/2015 00:00

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair ka deklaruar se, Partia Laburiste, për herë të parë në historinë e saj 100-vjeçare, do të rrezikojë asgjësimin në rast se Jeremy Corbyn zgjidhet në krye të saj.

Në një apel të dëshpëruar drejtuar laburistëve dhe mbështetësve, Blair u ka bërë thirrje atyre që të lënë mënjanë opinionet personale për tre mandatet ekzekutive të tij në krye të partisë dhe ta shpëtojnë atë nga vetëshkatërrimi duke refuzuar politikën e Corbyn.

“Nuk ka rëndësi nëse jeni majtas, djathtas apo në qendër të partisë, nëse më keni mbështetur apo urryer mua. Me rëndësi është të kuptoni rrezikun që na kanoset”, ka deklaruar Blair.

Ai është shprehur se, Partia Laburiste po ecën me sytë mbyllur dhe krahët hapur drejt buzës së humnerës.

“Ky nuk është momenti që t’i trembemi prishjes së qetësisë së rrugës sonë sepse ajo shkakton përçarje. Ky është një moment kur në grup duhet të ndalim rrezikun”, ka thënë Blair.

Ai i bëri këto komente në një artikull në të përditshmen “The Guardian”, pasi një sondazh i YouGov nxirrte Corbyn, një veteran i së majtës, në krye të garës për kryetar të laburistëve dhe Andy Burnham, Yvette Cooper dhe Liz Kendall si kandidatë të dështuar për të entuziazmuar elektoratin.

Top Channel