Kinë, shpërthim i fuqishëm në qytetin Tianxhin; qindra të plagosur

12/08/2015 00:00

Një shpërthim masiv ka ndodhur në qytetin kinez Tianxhin, shkaqet e të cilit janë ende të paqarta.

Shpërthimi është verifikuar rreth orës 23:30 me orën lokale, ose rreth 17:30 me orën tonë.

Foto dhe pamje filmike të postuara në rrjetet sociale tregojnë flakë të mëdha dhe tym të zi që ngjitet drejt qiellit.

Qindra persona janë shtruar në spital pasi kanë mbetur të plagosur nga shpërthimi, bën të ditur agjencia e lajmeve “Xinhua”.

Duke cituar autoritetet, burimi shtetëror i informacionit nënvizon se zjarri tashmë është nën kontroll, por dy zjarrfikës konsiderohen të humbur.

Ndërsa televizioni shtetëror kinez CCTV raporton se, blloqet e pallateve në afërsi të vendit të ngjarjes janë dëmtuar nga shpërthimi dhe kanë mbetur pa energji elektrike.

Tianxhin është një qytet-port dhe industrial në jug-lindje të kryeqytetit Pekin dhe ka rreth 7.5 milionë banorë. 

Top Channel