Mirditë, zbulohen dhe asgjësohen mbi 2300 bimë narkotike

12/08/2015 00:00

Policia e Mirditës ka konstatuar këtë të mërkurë një tjetër rast të kultivimit të kanabisit, duke asgjësuar mbi 2300 bimë narkotike.

Burime nga drejtoria lokale e policisë bëjnë të ditur se, pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative, uniformat blu kanë kryer një kontroll të imtësishëm në zonën e Fanit.

Bimët janë gjetur të mbjella në 6 parcela dhe gjatësia e tyre varionte nga 80 cm deri në 2 metra, saktësojnë burimet, që shtojnë se bimët u asgjësuan përmes zjarrit.

Drejtues të Policisë së Shtetit kanë deklaruar më herët se tendenca e re e kultivuesve të narkotikëve është mbjellja e bimëve në parcela të vogla në zona të thella dhe pa pronar.

Top Channel