Laçi fiton Superkupën. Mposht me penallti Skënderbeun

12/08/2015 00:00

Laçi është fitues i Superkupës së Shqipërisë. Fituesi u vendos nga penalltitë, pasi 120 minuta në fushën e lojës u mbyllën në barazim 2-2. U gjuajtën plot 16 penallti duke bërë që kurbinasit të fitojnë 7-8.

45 minutat e para të ndeshjes ishin të balancuara. Diferencën e bëri Xhejms, që nga në minutën e 11 ishte i saktë nga penalltia për t’iu dhënë epërsinë minimale kurbinasve, pasi më parë Dolku ishte penguar në zonë nga Dema.

Në këtë pjesë Skënderbeu kishte më shumë vështirësi për të dalë përpara, prandaj Laçi arriti të ruajë epërsinë prej një goli, duke shkuar në pushim më i qetë.

Por, pjesa e dytë ishte krejtësisht ndryshe, pasi u realizuan edhe tre gola të tjerë. Laçi futet në ndeshje më synimin për të shënuar edhe golin e dytë, por Veliaj nuk ia del në të 49-n.

Megjithatë, dy minuta më vonë Mitraj jep një pasim perfekt për Xhejms duke e nxjerrë nigerianin të lirë para portës së korçarëve i cili nuk gaboi për 2-0. 

Në minutën e 66, Hamdi Salihi shfrytëzon një krosim të Berishës për të ngushtuar diferencën në 2-1. Sulmuesi shkodran mund të barazonte shtatë minuta më vonë, por topi nga goditja e tij përfundoi ngjit me shtyllën.

Por, sulmues i Kombëtares do të ishte edhe njëherë vendimtar. Kësaj radhe në minutën e 74. Ai shfrytëzon një krosim të Abazit dhe me kokë barazon rezultatin.

Koha e rregullt prej 90 minutash përfundon me rezultat të barabartë 2-2. Në 15 minutëshin e parë të shtesave Skënderbeu kërkoi golin e tretë, por kurbinasit u mbrojtën mjaft mirë, duke bërë që rezultati të mbesë i njëjtë.

Në 15 minutëshin e dytë, Laçi pati dy raste shumë të mirë për të mbyllur ndeshjen, por në të dyja portierit i Skënderbeut, Llapanji u tregua i jashtëzakonshëm.

Fillimisht në minutën e 111 Ndreca dështoi të shënonte, ndërsa në të 119-n Llapanji i mohoi golin Mustafës, pasi gjuajtjes së këtij të fundit.

Top Channel