Koha për një rianalizë fizibiliteti për procesin e legalizimeve

13/08/2015 00:00

Agim Berisha – Po përpiqesha t’i sqaroja një gazetari të huaj, mik imi, domethënien e procesit të legalizimit dhe arsyet e zgjatjes së tij, si nisi vrullshëm, ishte afër dështimit, u ringrit, me mbylljen e tij përfitojnë edhe pronarët që u është zënë prona …, papritmas ai më ndërpreu me një fjali shteruese, ju jeni vend unik, ku askush nuk është në pronën e tij, as në punën e tij, sipas profesionit.

Megjithatë, për mua, edhe pse i hijezuar nga korrupsioni dhe tejzgjatja, procesi i legalizimeve vazhdon të jetë reforma më “peak”, për median, për qytetarët që kanë vite që presin, por edhe në bisedat “underground”, në kafene e rrugë, për gjetjen e mënyrave për legalizim.

Kur shoh në TV dhënie lejesh legalizimi, ndihem mirë, sepse e di çdo të thotë të bëhesh me tapi, e aq më shumë, kur ke një kontribut. Prezencën e kryetarit të qeverisë në këto vende edhe me elemente shoë, e mendoj një e drejtë e “zotit” të shtëpisë, për më tepër, që ai njihet për profilin e tij të “pakorrigjueshëm” ndaj territorit, e jo vetëm, procesi i legalizimeve është edhe “barrë” e madhe financiare për qeverinë. Rama është pëlqyer apo jo, identifikohet me punët e bëra, shpesh edhe me veto, duke filluar nga fasadat, rrugët, Lana, qiellgërvishtëset e prishjet. Këtë po bën, me aksionin e energjisë elektrike, me hyrjet e qendrat e qyteteve, me arsimin e lartë, me bregdetin deri në Sazan, me çmitizimin e postit të Kryeministrit. Këtë aksion do ta bëjë edhe me ujin, besoj edhe me karburantet, që sot janë sfiduesit më të mëdhenj të ligjit, por edhe të qeverisë, përmes “ekskluzivitetit” që kanë mbi treguesit ekonomikë. Të gjitha këto si aksesorë të detyrueshëm për turizëm elitar, por edhe elemente të panegociueshme shtet-organizues. Kritikat ndaj Ramës sot, ngjajnë me ato ndaj Berishës për rrugën e kombit, shahet autori, por pëlqehet vepra … Një “look” i ri i duhet këtij vendi, si një kërkesë “globale”, ligj – pronë – turizëm – ekonomi. Rastësi të përsëritura, më rikthyen shkrimet për ALUIZNI-n, “histori” që rrjedhin nën mbulesën e lejeve të publikuara.

Takova një qytetar, që i është miratuar kalimi i pronësisë në 2009-n, me një dosje kopje të legalizimeve në dorë. Sapo bëhesha gati ta uroja, ndërhyri, kur nuk ma legalizuan “tanët”, këta edhe po nuk ma dhanë, e meritoj. U ndjeva keq, për zhgënjimin e tij, por edhe për mendësitë që akoma ruhen. Ai vjen nga një familje e ndershme, tiranase, periferike, e përbërë nga 6 apo 7 vëllezër, që pas kthimit nga emigracioni kanë investuar një aktivitet, ku punojnë të gjithë bashkë. Dikush i kishte afruar dikë tek ALUIZNI, të provuar për “ndihma” të tilla, që t’i shpejtonte lejen e legalizimit, për një kredi për biznesin familjar.

Para ca ditësh, ndërsa prisja të tërhiqja një dokument në një institucion, zonjat që kryenin këtë shërbim, po flisnin për legalizimet. Njëra, e revoltuar, pronare me dokument pronësie, i kishte kërkuar një të njohuri, specialist tek ALUIZNI ta ndihmonte për lejen e legalizimit. Ai pranoi, por shefi …

Shumë qytetarë sot, t’i adresojnë me emra “shpëtimtarët” tek ALUIZNI. “Specie”, që çuditërisht i mbijetojnë gjithë kësaj lufte kundër korrupsionit, falë halleve të të tjerëve, nga terrenet që u lëshojnë organizmat shtetërore. Shpëtimi për vetëdeklaruesit, për pronarët, por edhe për procesin, gjendet vetëm te përfundimi i tij. Në daljet e drejtuesve të ALUIZNI-t, janë prezantuar histori “legjendë” për mure me bukë peshku e legalizime të ajrit, leksione ambientaliste, IKMT-je dhe si ZRPP, madje edhe vetë procesi prezantohej si labirint, sikur po punohet në shkretëtirë, se ne jemi të vërtetët, prandaj duhen matje nga e para. Nga këto dalje, por edhe nga përfshirja e ndërtimeve të fundit, të fundit, e përsëri të fundit, duket si proces pa fund, që “emeton” pasiguri te qytetarët.

Për besueshmërinë e procesit, qeveria duhet të “investojë” jo vetëm në fonde, por edhe në transparencën e punës së ALUIZNI-t, përmes vendosjes së një afati të detyrueshëm mbylljeje, si dhe publikimit të grafikëve për çdo zonë, sepse janë legalizuar objekte të deklaruara në 2013-n, para atyre të 2006-s, e pse jo, në një mënyrë tjetër organizimi. Informaliteti, sidomos në periudha krizash globale, shihet si burim zhvillimi ekonomik, por edhe punësimi. Kështu i shoh edhe pranimet e fundit, por nuk duhen “mbivendosur” deklarimet e 2013-s, 2014-s apo 2015-s, në ato të 2006-s. Ndarja e tyre është domosdoshmëri, pse jo edhe institucionale, me vetëfinancim të institucionit siç vepron hipoteka me shumë rezultat, duke përfshirë dhe pagesa shtesë, për ata që kërkojnë procedura të përshpejtuara … Alternativë është edhe përfshirja në “vetëdeklarimet” e fundit, qeverisjen vendore, organizimi i ri i të cilave krijon mundësi reale teknike dhe njerëzore për ta përballuar, e jo vetëm, ato zotërojnë edhe informacionet e nevojshme për ndërtimet, aq më tepër kur “arma” e sigurisë, fotografimi ajror, sot është “relikte”. Nuk e quaj zgjidhje, shndërrimin e ALUIZNI-t, në superdikaster të pronësisë, ku 50% e popullsisë detyrohet të kalojë në sitën e tij, ku korrupsioni, historikisht, gjen terren të organizohet më mirë, se vetë procesi, duke e transformuar në një proces “tërhiq e mos e këput”.

Procesi legalizimeve, përveç “mjaltit” që ia duan të gjithë, ka të përcaktuar me ligj e vendime qeverie edhe objektet që nuk përfitojnë. Në referencë të tyre, ALUIZNI krahas dhënies së lejeve, duhet, përmes insertimit të studimeve dhe zonave të rrezikshme në hartat vektorë, të përcaktojë e miratojë zonat dhe objektet që nuk kualifikohen, duke i bërë patjetër publike, përmes afishimit në qendrat përkatëse të banimit. Ky është hapi i parë dhe i domosdoshëm i ALUIZNI-t, jo vetëm se përcakton vijën e kuqe të legalizimit, por u jep edhe kohën e nevojshme qytetarëve të njihen me fatin e objektit të tyre, u jep mundësinë e ankimimit, e pse jo të parapërgatitjes për “zgjidhje” të tjera. Këto publikime i ruajnë ata të mos bien pre e abuzuesve që trokasin në derë, me rrezikun që “kanoset”, por dhe me ofertën e “zgjidhjes” … Korrupsioni që paraqitet si alternativë e vetme “shpëtimi”, nuk luftohet vetëm me metoda dixhitale informimi. Ai kërkon abdejtim permanent të punës së secilit, edhe ndëshkim … Sot tek ALUIZNI janë një numër i madh punonjësish, të inkuadruar në shumë drejtori në shkallë vendi, e lejet, megjithëse nuk mungojnë, nuk demonstrojnë ritme përfundimi. Nga përvoja, çdo drejtues, menaxher, përcakton objektivat tekniko-ekonomikë, si dhe rrugët që i bëjnë të arritshëm. Nuk është utopi të pranosh, se ekonomia e tregut është sistemi që në çdo reformë, edhe te legalizimet, përparësi ka fizibilitetin, me dy elementet, kohën dhe koston … Përfundimi i procesit në 2017-n kërkon nga ALUIZNI një program normimi e kontrolli. Bëhet fjalë për 500 punonjës të punësuar aktualisht, që duhet të trajtojnë, së bashku me aplikimet e reja, mbi 200-250 mijë dosje të tjera, gjatë 500-600 ditëve pune deri në përfundim, me 400-500 dosje / ditë. Kjo bëhet plotësisht e mundur, falë edhe programeve inxhinierike, autokad e map. Sipas normimit teknik, kronometrik, tre specialistë bëjnë pesë dosje / në tetë orë, që i bie 35 dosje në muaj / për specialist, sikur gjithçka të nisej nga “zero”, edhe pse një pjesë e “tapetit” është e shtruar, duke filluar nga evidentimi në terren, madje i dixhitalizuar … Kjo bëhet akoma më e “thjeshtë”, kur rreth 10-15% e objekteve që kanë aplikuar për legalizim, nuk kualifikohen. Avantazh janë gjithashtu 30% e dosjeve ku pronari i ndërtimit informal është dhe pronar i truallit, ngaqë procedurat e përgatitjes së tyre nuk kërkojnë miratim me VKM. Por kjo kërkon patjetër edhe trajtimin e ALUIZNI-t si institucion tekniko-ekonomik, si dhe vendosjen e raporteve të drejta në numër e cilësi, të specialistëve teknikë, me specialistët e drejtorive apo sektorëve të tjerë që nuk kanë marrëdhënie direkte me procesin, të këshilltarëve apo drejtorëve të dubluar, që bëjnë “Santa Clausin”. Imitacion i ALUIZNI-t të para 21 qershorit. Vetëm rroga për administratën, pa llogaritur shpenzime të tjera, paguhen mbi 300 milionë lekë / muaj, e që nga fillimi mbi 35 milionë dollarë. Edhe sa duhen më tej … Procesi ka dhe një anë tjetër, pa të cilën nuk është i plotë, dhënien e kompensimit pronarëve që u është tjetërsuar prona. Vendosja e afatit për pagesat i jep frymëmarrje procesit, por është dhe lehtësim për pronarët. Kompensimi, për shkak të vlerës së madhe që mbart, kërkon, “mat shtat herë e pri një herë”, duke bërë edhe diferencime mes pronarëve, për të shmangur nga vakumi që ekziston për raste specifike, kompensimin e atyre që nuk e meritojnë. Ka shumë pronarë që kanë bërë njëherë shitjen me letra “dore” të truallit, të cilat i zotërojnë shumë qytetarë. De fakto, pronarët kanë vetëhequr të drejtën e pronës, por nuk e çojnë deri në fund shitjen, sepse çmimi është rritur disa herë dhe ata kërkojnë përfitim edhe nga legalizimi … Shumë trashëgimtarë kanë “zënë” me ndërtime informale truallin ku janë rritur, që figuron në emër të babait apo vëllait, e përveç legalizimit, kërkohet edhe kompensim i pjesëtarëve të familjes.

Interpretimi i vlerave të tilla, të përafërta me buxhetin e shtetit, nuk mund të kalohet me indiferencë as të lihet në “zemërmirësinë” e specialistëve, kur disave u kërkohet të “falin” nga prona e tyre.

Mendoj se janë tejkaluar limitet e “dizajnimit” të pronësisë. Sot pas 10 vjetësh, që procesi ka konsumuar mbijetesën si “nevojë” për fushatat apo të “sigurimit” të pushtetit, është domosdoshmëri analiza e fizibilitetit të tij, çka do të impononte një përqasje ndryshe në funksion të përfundimit, të tij, sepse një “luk” i ri që kërkon ky vend, nuk bashkëjeton dot me informalitetin e tejzgjatur.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel