Këshilli Bashkiak voton taksat dhe ndryshimet në buxhet, miraton banesat sociale

13/08/2015 00:00

Është miratuar edhe me votat e të djathtëve në Këshillin Bashkiak lista me emrat e personave që përfitojnë 242 banesa sociale në Shkozë.

Listat e përgatitura nga administrata e bashkisë që drejtohej nga Lulzim Basha përmbante vetëm 205 emra, ndërkohë administrata e re ka shtuar 40 emra, por ka skualifikuar 8 persona, të cilët kur janë verifikuar kanë rezultuar se dispononin prona.

“Dhe një nga arsyet pse i kemi hequr është pikërisht se nuk mund të kemi fukarenj që e kanë një apartament, e japin me qira me çmim tregu këtë apartament që sot e kanë të regjistruar në hipotekë, po të paktën këtë mund ta verifikojmë. Mendoj që nëse në një javë procesohen 40 familje, imagjino sikur bashkia të kishte punuar me këtë ritëm çdo javë, të katër viteve të fundit. Ndoshta do të kishim të gjithë listën e banesave sociale. Ju kujtoj që në vitin 2013, aplikonin për kredi të buta në nevojë sociale fukarenj si Spiro Ksera, Eno Bozdo, Gjergji Papa, të gjithë zv. ministra të asaj qeverie. Dhe nocioni ynë për fukarallëkun ka ndryshuar totalisht, miqtë e mi”, tha Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë.

Në këtë mbledhje të parë të Këshillit Bashkiak është miratuar një shtesë buxheti për bashkinë prej 13 milionë dollarësh, çka nënkupton përqëndrimin e buxheteve të komunave pranë Bashkisë së Tiranës me ndryshimet e bëra nga reforma territoriale. Por ndonëse buxheti i paraqitur ishte ai që kishte përgatitur administrata Basha, sërish të djathtët kanë kundërshtuar.

“Kështu që, ajo që unë do t’ju ftoja është që ju kanë votuar qytetarët; uluni me këmbë në tokë, lërini sofizmat, merruni me gjëra konkrete. Njerëzit presin që ne të zhbllokojmë buxhetin, të bëhen pagesat, të shpërndahen banesat sociale. Nëse doni transparencë, ua jap unë transparencën. Borxhi aktual i bashkisë së Tiranës është 30 milionë dollarë, fatura të prera dhe të papaguara. Është sa 70 për qind e buxhetit faktik”, tha Veliaj.

Këshilltarët e djathtë i kanë konsideruar taksat dhe tarifat ekzistuese nëpër komuna si taksa shtesë të bëra nga bashkia e re. Debat ka ngjallur taksa e qenve të luksit, e cila ishte vjelur deri më tani në Komunën Farkë.

“Në dokumentin që kemi përpara për taksat e reja të bashkisë, ne do të votojmë një taksë, ‘tarifën për mbajtjen e qenve të luksit’. A ka patur një arsyetim, juridik gjithmonë, çfarë do të thotë kjo taksë, ku është përkufizimi qentë e luksit, kush do të jetë institucioni që do të masë kush është qen luksi, ku është inventarizimi i qenve të luksit në Tiranë e kështu me radhë”, tha Akil Kraja, këshilltar i PD-së.

“Kjo taksa e qenit të luksit është një taksë e Bardh Plakut, kryetarit tuaj në komunën Farkë, i cili e ka vënë për banorë si ky që kam faturën këtu, si Shkëlzen Berisha që ka tre qen e një kalë. Nëse ky është një propozim që t’i kthejmë mbrapsht lekët Zenit për kalin apo qentë, mos na e sillni problemin familjar të partisë tuaj në Këshillin Bashkiak. Për sa kohë që Zeni ka paguar lekët tek Bardh Plaku, po i partisë tuaj, mos prisni që qytetarët e Tiranës t’i rimbursojnë lekët e qenit, se shyqyr kali shkoi në Suedi. Është një taksë që e kanë vënë titullarët dhe udhëheqësit legjendarë të partisë tuaj në komuna që e kanë paguar po ata që jetojnë në këto komuna luksoze, dhe sigurisht që do e marrim shënim rekomandimin tuaj që të sigurohemi që në fund të vitit të mos kemi taksa qesharake”, u përgjigj kryebashkiaku Veliaj.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak u miratua dhe dhënia e ndihmës ekonomike për personat me aftësi të kufizuara dhe invalidët e punës, të cilët nuk e kishin marrë për periudhën 1-31 korrik.

Top Channel