Mourinho-Carneiro, një video përgënjeshtron luzitanin

13/08/2015 00:00

Polemikat mes Jose Mourinho dhe Eva Carneiro nuk kanë të përfunduar. Trajneri i Chelsea iu kundërvu mjekes për ndihmën e ardhur ndaj Hazard, për ta ndëshkuar më pas atë me përjashtim nga stoli i skuadrës.

Por ditët e fundit, në Britaninë e Madhe është shfaqur një video që i jep pafajësinë mjekes Carneiro. Në ndeshjen me Swansea, Hazard u përplas me Sigurdson dhe ra në tokë. Mourinho nuk e dëshiroi ndërhyrjen e stafit mjekësor, pasi e dinte se belgu do të dilte jashtë fushave të lojës për të marrë ndihmën e parë duke e lënë skuadrën me 9 lojtarë, pasi më parë ishte dënuar edhe Cortuois me karton të kuq.

E megjithatë, Eva Carneiro hyri në fushën e lojës dhe, sipas videos së shfaqur, ishte pikërisht arbitri Michael Oliver ai që kërkoi ndërhyrjen e saj.

Sipas Rregullores së Këshillit të Përgjithshëm Mjekësor, një mjek sportiv nuk mund të pengohet për të kryer detyrën e tij, nëse ai e shikon se sportisti ka probleme të mëdha me shëndetin e sidomos kur ai thirret në fushën e lojës nga arbitri i ndeshjes.

Nga kjo video rezulton se Eva Carneiro ka kryer vetëm detyrën e saj, por kritikat e Mourinho e kanë dëmtuar jo pak atë. Gjithsesi, Eva ka gjetur një mbështetje të madhe nga rivalët e Chelsea, Arsenali. Tifozët e “Topçinjve” kanë nisur një fushatë për të bindur Carneiron që të lërë “Blutë” për t’u bashkuar në stafin e Arsene Wenger.

Top Channel