Radhë të gjata për pasaportat, kthimi i emigrantëve shton fluksin

13/08/2015 00:00

Me dhjetëra qytetarë rrijnë në rradhë që në orët e para të mëngjesit në të vetmen zyrë aplikimi të pasaportave biometrike në Gjirokastër, ndërsa sorrollatjet duket se nuk kanë të sosur.

Mes tyre fëmijë e të moshuar presin për orë të tëra në temperaturat e larta të kësaj vere për të kryer aplikimet për pasaportat biometrike. Madje në disa raste ata detyrohen të largohen edhe pa marrë shërbimin. Kjo situatë ka shkaktuar indinjatën e qytetarëve që ankohen për mungesë shërbimi dhe korrektese.

Muajt korrik e gusht përsëritin në zyrat e aplikimit të pasaportave biometrike të njëjtën situatë. Shkak është fluksi i lartë i aplikimeve nga kthimi i emigrantëve në vend. Por pavarësisht kaosit që mbizotëron në zyrat e aplikimit dhe indinjatës së qytetarëve, situata problematike mbetet çdo vit e njëjtë.

Top Channel