Aksioni i OSHEE-së në Durrës, arkëtohen 60 mijë dollarë detyrime në tri ditë

13/08/2015 00:00

Pas Velipojës e Shëngjinit, kontrollet e OSHEE-së janë zhvendosur në bregdetin e Durrësit ku kompania ka sjellë personel shtesë për të përballuar aksionin.

Si rezultat i kontrolleve të ndjekura nga drejtorja e Divizionit tregtar Albana Ferraj, në tre ditë janë arkëtuar rreth 60 mijë dollarë detyrime.
 
“Këtu në Durrës janë rreth 25 veta staf që do të vijnë nga rajonet e tjera, ndërkaq që në Shkodër kemi dërguar 55 vetë”, thotë Albana Ferraj, Drejtore e Divizionit Tregtar OSHEE.

Abuzimet më tipike janë rilidhjet e paligjshme nga ndërprerja e furnizimit me energji elektrike si pasojë e të qenit debitor dhe ekzistenca e linjave të dyta. Ferraj thotë se për abuzuesit e përsëritur nuk do të mungojnë procedimet penale, krahas masave administrative.

“Ne kemi rreth 14 mijë kontrolle, nga të cilat 7 mijë janë abonentë që u është ndërprerë furnizimi me energji elektrike, këto janë shifrat e 6- mujorit, akumulative. Ndërkaq, vazhdon dhe vijon pjesa e kontrolleve siç nisëm dhe sot në agjencinë e Durrësit”, vijon Ferraj.

Gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti në rajonin e Durrësit janë kryer 38 200 kontrolle, gjatë të cilave u është ndërprerë furnizimi me energji rreth 22 mijë debitorëve familjarë dhe jofamiljarë, pjesa më e madhe e të cilëve në qytetin e Durrësit. Operacioni i saponisur në bregdet do të vazhdojë deri në muajin shtator dhe do të shtrihet në të gjitha rajonet e tjera bregdetare.

Top Channel