Al Kaeda, Zawahiri i premton besnikëri kreut të ri të talebanëve afganë

13/08/2015 00:00

Udhëheqësi i Al Kaedës, Ayman al-Zawahiri, ka premtuar besnikëri të plotë ndaj shefit të ri të talebanëve afganë, përmes një mesazhi audio të publikuar në internet.

Ky është edhe mesazhi i parë i Zawahirit që prej shtatorit të kaluar, ndërkohë që është publikuar nga krahu mediatik Al-Sahab i Al Kaedës, drejtuar pikërisht kryetarit të sapozgjedhur të talebanëve, Mullah Akhtar Mansour, pas njoftimit zyrtar se ish-kreu Mullah Omar ka vdekur dy vite më parë.

Spekulime ka pasur gjithashtu edhe për vetë Zawahirin, nëse ishte ende gjallë apo kishte vdekur, pas verifikimit të raportimeve për Omarin, gjatë muajit të kaluar. Kreu aktual i Al Kaedës, veç të tjerash, ka shprehur edhe ngushëllimet e tij për humbjen e Omarit.

Ai e konsideronte ish-udhëheqësin e talebanëve afganë si kryetar të lëvizjes globale xhihadiste, gjë që në fakt është kontestuar nga rivalët kryesorë të Al Kaedës, grupi i militantëve të Shtetit Islamik, që deklaruan ngritjen e një kalifati në territoret e pushtuara në Siri dhe Irak gjatë vitit të kaluar.

“I premtojnë besnikërinë tonë të plotë lordit tonë, udhëheqësit të  besimtarëve Mullah Mohammad Akhtar Mansour. Zoti e mbroftë atë”, thoshte Zawahiri, i cili besohet të jetë duke jetuar si refugjat në zonat kufitare mes Afganistanit dhe Pakistanit, ku është edhe baza kryesore e talebanëve.

Top Channel