Lëvizja Besa, “ceremoni mortore” për Marrëveshjen e Ohrit

13/08/2015 00:00

Të rinjtë e lëvizjes Besa, këtë të enjte, në ditën kur qeveritarët e Maqedonisë kanë shënuar përvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, kanë ironizuar me atë që po ndodh sot, 14 vjet nga nënshkrimi i saj.

Në një skenë të improvizuar në stilin e traditës shqiptare, që ka të bëjë me pritjen për ngushëllime pas vdekjes së ndonjë familjari, në hyrje të selisë së kësaj lëvizjeje aktivistët kishin vendosur një karrike me fotografinë e subjektit të vdekur, Marrëveshjes së Ohrit.

Në komunikatën ironike të lëvizjes thuhet se sot, kur duhej të shënohej ditëlindja e saj e 14-të, me dhimbje të madhe dhe pikëllim të thellë njoftohet opinioni se ajo tashmë është e vdekur, si pasojë e vrasjes që i kanë bërë disa politikanë të vendit.

“Personat që dyshohet se e kanë kryer këtë vrasje janë me inicialet A.A. dhe M.Th., por në interes të hetimeve emrat e tyre ende nuk publikohen. Por, vrasësit e saj janë të njohur për policinë, sidomos për Naçallnikun, si persona me dosje kriminale edhe më parë dhe ata janë në kërkim e sipër. Pritet që së shpejti të kapen dhe të dënohen para gjyqit të popullit. Po ashtu janë ngritur dyshime edhe për porositësin e vrasjes së saj. Ai mendohet të jetë personi N.G., po ashtu i njohur për organet e përgjimeve me dosje të rëndë kriminale”, thuhet në komunikatën ironike të rinisë së lëvizjes Besa.

Top Channel