OSHEE reagon për akuzat e PD-së: Zëvendësimet, konform ligjit

13/08/2015 00:00

OSHEE ka reaguar lidhur me deklaratën e Partisë Demokratike për largimin nga puna të punonjëses së këtij institucioni, Nexhmije Bushi. Sipas njoftimit zyrtar, znj. Bushi është larguar nga puna në bazë të ligjit, pas dy vërejtjeve me shkrim.

“Bazuar në Kontratën Kolektive të Punës masat disiplinore parashkruhen nëse brenda 6 muajve nga dita e dhënies së tyre nuk është dhënë ndonjë mase tjetër disipliniore. Rezulton se për znj.Bushi ka filluar proçedura e zgjidhjes së marrëdhënieve të punës, në zbatim të nenit 141, 143, 144 të Kodit të Punës si dhe Vendimit Unifikues të Gjykatës së Lartë Nr. 19, Dt.15.11.2007. Konkretisht në rastin e znj.Bushi është zbatuar me rigorizitet neni 143 i Kodit të Punës, ku per te zgjidhur kontraten me kohezgjatje te pacaktuar Shoqeria OSHEE sh.a., ka respektuar afatin e njoftimit prej 3 muajsh e cila është në varësi të kohëzgjatjes së marredhënies së punës me Shoqërinë”, thuhet në njoftimin e OSHEE-së.

OSHEE bën të ditur se në bazë të këtij vendimi procedura e zgjidhjes së marrëdhënieve të punës në rastin e znj. Bushi është një zgjidhje normale. Madje, 45-vjeçarja ka përfituar edhe shpërblimin për lejen vjetore të pakryer.

Ndërkaq, lidhur me pretendimet e Partisë Demokratike se Nexhmije Bushi është zëvendësuar me persona pa arsimin e duhur, OSHEE bën të ditur se personeli kalon në një fazë përzgjedhje me kandidatura të përcaktuara. Në rastin konkret, personi që ka zëvendësuar 45-vjeçaren ka përfunduar arsimin e lartë për inxhinieri elektrike.

Top Channel