ISIS publikon detajet personale të 1400 amerikanëve, bën thirrje për sulme ndaj tyre

13/08/2015 00:00

Një grup i vetëquajtur “divizioni i hacker”-ave të Shtetit Islamik ka publikuar detajet e 1400 shtetasve, kryesisht ushtarakë amerikanë dhe personel qeveritar, duke nxitur mbështetësit e xhihadistëve t’i sulmojnë të listuarit.

Baza e të dhënave, e publikuar online gjatë së mërkurës ekspozonte emrat, adresat e email-eve, numrat e telefonave dhe fjalëkalimet e tyre. Në listë bënin pjesë anëtarë të trupave të Marinës, NASA-s, Departamentit amerikan të Shtetit, Forcave Ajrore dhe FBI-së.

Mbështetësit e ISIS në Twitter, duke përfituar nga kjo thyerje e të dhënave personale, kanë postuar detajet personale të ushtarëve dhe stafit qeveritar, duke inkurajuar “ujqërit e vetmuar” të vepronin dhe të vrisnin sa më shumë të mundeshin prej tyre.

Një person, që pretendonte se fliste në emër të grupit, tha për “the Guardian” se informacioni ishte siguruar nga bazat e të dhënave të ushtrisë dhe qeverisë, një pretendim që zyrtarë të ushtrisë amerikane e dyshojnë.

“Kjo është hera e dytë apo e tretë që xhihadistët pretendojnë diçka të tillë dhe, sa i përket dy herëve të para, mund t’iu them se çfarëdo liste të kenë siguruar ata nuk e kanë marrë nga sulmet kibernetike”, tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Ray Odierno, ditën e mërkurë. “Kjo e tanishmja nuk ka ndonjë ndryshim nga dy herët e para – vijoi ai, – por ne i marrin në konsideratë të tilla pretendime, sepse është e qartë që, çfarëdo që ata të jenë duke planifikuar, ne e quajmë serioze, pavarësisht se unë besoj se ata nuk janë treguar të suksesshëm me planin e tyre”.

Pentagoni deklaroi se është ende duke hetuar mbi këtë incident. “Nuk kemi shumë informacion mbi të, sepse shumica e adresave të email-eve duken të jenë tepër të vjetra dhe fjalëkalimet e listuara në Twitter nuk përputhen me kërkesat tona për fjalëkalime të forta dhe të padiktueshme”, tha shefi i Marinës, Jeffrey Pool.

Mes të parëve që e publikoi listën e të dhënave ka qenë “hacker”-i Junaid Hussain, i cili raportohet të jetë i treti në listën e CIA-s për t’u eliminuar si pjesëtar i ISIS apo mbështetës i tyre.

Top Channel