Emigrimi, tema e festivalit të filmit DokuFest

13/08/2015 00:00

Edicioni i 14 i festivalit ndërkombëtar të filmit me metrazh të shkurtër DokuFest, i mbajtur në Prizren, ka për temë kryesore migrimin.

Numri i madh i shtetasve të Kosovës që emigruan vitin e fundit ka bërë që organizatorët e festivalit të vendosin që ky edicion, përmes filmave, paneleve dhe diskutimeve të trajtojë këtë temë.

“Vitin e kaluar, kur u mblodhëm për të vendosur për temën e edicionit të 14 të DokuFestit, ndodhi ajo që ndodhi me një numër të madh të emigrantëve nga Kosova që ndiqnin rrugën e vështirë për një jetë më të mirë. Pastaj ndodhi edhe në prill, në Mesdhe, me emigrantët e shumtë të cilët humbën jetën në ujërat e detit dhe ata të cilët mbetën në ishullin e Lampeduzës. Të gjitha këto ishin një sinjal që duhej të trajtohej tema”, ka deklaruar Eroll Bilibani, drejtor ekzekutiv i DokuFest.

Gjatë 10 ditëve do të shfaqen 228 filma nga 43 vende të botës, në 6 programe garuese dhe një numër programesh sociale. Këtë edicion DokuFest ka pranuar 3.000 filma që kanë aplikuar për pjesëmarrje duke shënuar kështu një numër rekord të aplikimeve.

DokuFest ka sjellë edhe premierën kombëtare të filmit “Shok”, të regjisorit anglez Jamie Donoughue, me aktorë të njohur kosovarë si Esheref Durmishi, Lum Veseli, Andi Bajgora, Astrit Kabashi, Melihate Qena, Armond Morina, etj.

Filmi “Shok”, në premierën ndërkombëtare në Aspen Shortfest në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fitoi 3 çmime, përfshirë atë për dramën më të mirë, që i jep dhe dritën jeshile për garën kualifikuese për Oscar.

Shfaqja e filmit para publikut kosovar, për regjisorin Donoughue ishte një sfidë pasi filmi është i bazuar në ngjarje të vërtetë gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku paraqitet historia e dy shokëve të vegjël, njëri nga të cilët vritet nga ushtria serbe.

“Mendoj që nga të gjitha shfaqjet e filmit që kemi bërë dhe që do të bëj, më e rëndësishmja është kjo në Kosovë. Kjo ishte ajo që më ka nervozuar më shumë, sepse po e prezantoja para njerëzve të cilëve këto ngjarje u kanë ndodhur. Kështu që isha shumë nervoz, mezi e shihja filmin. Shpresoj që njerëzve t’u ketë pëlqyer. E di që nuk është pranuar mirë, pasi është vështirë të rishihen këto ngjarje të njerëzve, e kuptoj këtë”, është shprehur Donoughue.

Që nisja e tij, festivali ka sjellë në Kosovë qindra producentë të huaj. Në Urën e Gurit, në Prizren është improvizuar një pikëkalim kufitar me mbishkrimin:

“Kjo urë është e kalueshme për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për ata që vijnë nga ato pak shtete që lejojnë kosovarët të udhëtojnë pa viza. Të gjithë të tjerët duhet të pajisen me viza për të kaluar këtë urë”.

Ky instalacion vjen si protestë artistike për pamundësinë e shtetasve të Kosovës që të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

Top Channel