Greqi, koalicioni Syriza drejt shpërbërjes; Parlamenti voton të premten ndihmën e re

13/08/2015 00:00

Koalicioni grek në pushtet, Syriza, duket se është në prag të një përçarjeje formale këtë të enjte, vetëm pak orë përpara se rebelët e ekstremit të majtë në Parlamentin grek kanë planifikuar të votojnë kundër marrëveshjes së re të ndihmës së shpëtimit, gjë që do ta mbante vendin larg falimentit.

Duke pasur edhe mbështetjen e opozitës, qeveria aktuale e kryeministrit Tsipras u ka kërkuar parlamentarëve të miratojnë marrëveshjen e ndihmës prej 85 miliardë eurosh, tepër e nevojshme për Greqinë në mënyrë që të shmangë falimentin për shkak të mospagimit të kësteve të borxhit, që detyrohet ta bëjë javën e ardhshme ndaj BQE-së.

Votimi, që pritet të mbahet gjatë orëve të para të së premtes, do të testojë edhe forcën e vërtetë të rebelimit të ligjvënësve kundër masave shtrënguese të Syrizas, gjë që po shton edhe më shumë presionin ndaj Alexis Tsipras, i cili ka paralajmëruar se do të kërkojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme jo më vonë se fillimi i shtatorit.

Kreu i deputetëve rebelë, ish-ministri i Energjisë Panagiotis Lafazanis, hodhi edhe një tjetër hap drejt ndarjes nga Syriza, një koalicion i grupeve të majta – përfshi edhe ekstremistë, – që erdhi në pushtet në janar të këtij viti me premtimin se do të kundërshtonin politikat shtrënguese të kërkuara nga huadhënësit e Eurozonës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Beteja kundër ndihmës së re nis nga dita e sotme, duke mobilizuar njerëzit nga çdo cep i vendit”, thuhej në një deklaratë të nënshkruar nga Lafazanis dhe 11 pjesëtarë të tjerë të Syrizas, e cila është publikuar në faqen e internetit të fraksionit të ekstremit të majtë “Iskra”.

Deklarata bënte thirrje për themelimin e një “lëvizjeje të bashkuar, që do të justifikonte dëshirën e popullit për demokraci dhe drejtësi sociale”, edhe pse nuk bënte ndonjë thirrje të saktësuar për krijimin e një partie të re apo ndarjen nga Syriza.

Parlamenti, gjithsesi, pritet të miratojë marrëveshjen e ndihmës së re të shpëtimit, për shkak të numrave të mjaftueshëm të siguruar edhe falë mbështetjes së opozitës, të cilët prej kohësh kanë deklaruar mbështetjen e tyre për masat shtrënguese, edhe pse këto masa do të merren nga një qeveri e majtë, vetëm e vetëm që të sigurohen se Greqia nuk do t’i rikthehet më kaosit financiar.

Top Channel