Shpërthimi në Tianxhin, bilanci zyrtar: 50 të vrarë dhe 700 të plagosur

13/08/2015 00:00

Seria e shpërthimeve të ndodhura në qytetin Tianxhin, në veri të Kinës, zyrtarisht ka vrarë të paktën 50 persona.

Mbi 700 të tjerë janë plagosur dhe spitalet janë në kaos për t’u përballur me numrin e madh të tyre.

Shpërthimet ndodhën në një magazinë lëndësh toksike dhe kimike, duke shkatërruar blloqe të tëra pallatesh dhe duke djegur disa qindra automjete.

Mes viktimave janë edhe 12 zjarrfikës, që humbën jetën në përpjekjet për të shuar zjarrin, ndërkohë që 36 kolegë të tyre konsiderohen ende të humbur.

Tianxhin është një nga qytetet industriale më të rëndësishme të Kinës dhe njëkohësisht një nga qytetet-port më të populluara në botë.

Presidenti Xi Jonping ka premtuar një hetim tërësor mbi ngjarjen, si dhe një informim transparent për publikun, raporton agjencia e lajmeve “Xinhua”.

Shpërthimi i parë ndodhi dje rreth orës 17:30 me orën tonë, duke shkatërruar shumë ndërtesa, disa prej të cilave fabrika për prodhimin e automjeteve, pjesë të mjeteve ajrore, etj.

Shpërthimi u pasua pak sekonda më vonë nga një tjetër edhe më i fortë dhe më pas nga një seri shpërthimesh të vogla.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel