Turqi, dështojnë bisedimet për koalicion. Vendi, drejt zgjedhjeve të parakohshme

13/08/2015 00:00

Bisedimet për formimin e një koalicioni qeverisës në Turqi, mes partisë në pushtet AK të themeluar nga Erdogan dhe partisë kryesore opozitare CHP, kanë përfunduar pa sukses këtë të enjte, duke përgatitur terrenin për zgjedhje të parakohshme në fund të këtij viti.

Kryeministri Ahmet Davutoglu zhvilloi një takim, që zgjati rreth një orë e gjysmë në Ankara, me kreun e CHP-së, Kemal Kilicdaroglu, në atë që konsiderohej si përpjekja e fundit për dakordësimin e një koalicioni të madh, pas disa javë bisedimesh mes palëve.

“Rezultati është negativ, siç mund ta keni marrë vesh”, tha një zyrtar i CHP-së për “Reuters”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Partia turke në pushtet AK do të përpiqet të sigurojë një marrëveshje për koalicion me opozitarët nacionalistë të MHP-së, por një zyrtar i lartë i partisë së themeluar nga Erdogan tha se mundësitë e një marrëveshjeje të tillë janë “tepër të vogla” dhe se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në nëntor është tepër e mundshme.

Davutoglu, me të mbaruar takimin, është shprehur se “do të preferonte që zgjedhjet e parakohshme të zhvilloheshin sa më shpejt të ishte e mundur” dhe u justifikua ndaj raporteve false, siç i quajti ai, se “ekziston perceptimi, që Presidenti Tayyip Erdogan nuk dëshiron një koalicion”.

Monedha turke lira është dobësuar duke kapur një nivel rekord prej 2,82 kundrejt dollarit amerikan, sapo doli njoftimi për mosarritjen e akordit për koalicion, ndërsa bursat ranë ndjeshëm. Shumë investitorë kishin shpresuar për një marrëveshje me AK-së dhe partisë së qendrës së majtë pro-biznesit CHP, ndërkohë që frika e zgjedhjeve të tjera do t’i shërbejë vetëm zgjatjes së mëtejshme të pasigurisë.

Partia qeveritare AK dështoi të siguronte mazhorancën parlamentare në zgjedhjet e 7 qershorit, duke qenë e pamundur të qeveriste e vetme, për herë të parë që pas ardhjes në pushtet në vitin 2002. Davutoglu ka kohë deri më 23 gusht për të gjetur një partner më të vogël për koalicion, në të kundërt, Presidenti Tayyip Erdogan do të thërrasë zgjedhjet e parakohshme.

Top Channel