Nafta në Maqedoni, 60 lekë më e lirë. Drejtuesit furnizohen në Dibër të Madhe

13/08/2015 00:00

Diferenca e çmimeve të naftës dhe benzinës në shitje, mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, është gati 60 lekë. Kjo ka bërë, që drejtuesit e mjeteve në zonën kufitare të udhëtojnë drejt Maqedonisë për t’u furnizuar me naftë, ku paguajnë vetëm 118 lekë për litër, nga 183 lekë që e blejnë në Shqipëri.

Ky udhëtim ndodh shpesh në pikën kufitare të Bllatës, nga ku çdo ditë kalojnë drejtuesit e mjeteve nga Dibra (në territorin shqiptar) në drejtim të Dibrës së Madhe (në territorin maqedonas).

“Shkojmë në Maqedoni për t’u furnizuar sepse është më e lirë, me rreth 50 lekë për litër, si dhe shumë herë më e mirë. Nuk e bëjmë përditë këtë rrugë, por kur na soset durimi vijmë këtej”, thotë një drejtues mjeti.

Pikat e karburantit në Maqedoni, që ndodhen afër me kurifin e Shqipërisë, 50 për qind të xhiros ditore e kanë vetëm prej drejtuesve shqiptarë të automjeteve.

Dogana bën kontrolle të shpeshta për të kapur mjetet që përdorin serbatorë shtesë, si një mënyrë për të bërë kontrabandë.

“Për efekt të një ndryshimi të madh të çmimit në zonën kufitare të Dibrës së Madhe, në këtë kohë kemi një problematikë të madhe prej lëvizjes së automjeteve të shumta. Shumë drejtues dalin nga kufiri, meqë është distancë e afërt, furnizojnë serbatorët me naftë apo benzinë dhe kthehen sërish në vend. Kontrolli dhe synimi i doganierëve ka qenë i fokusuar në faktin që këto lëvizje të shpeshta të mos bëhen me serbatorë shtesë, të cilat i ngarkojnë dhë Maqedoni dhe më pas i shfrytëzojnë për shitje në Shqipëri”, tha Abdulla Kata, drejtor i Doganës së Bllatës.

E gjithë kjo ndodh sepse në Maqedoni, çmimi i shitjes me pakicë i naftës i përgjigjet rënies së çmimit në bursat ndërkombëtare, ndërsa në Shqipëri kjo gjë nuk ndodh.

Top Channel