Pas konferencës së organizuar për shënimin e 14-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, lideri i BDI-së Ali Ahmeti tha se implementimi i këtij dokumenti në praktikë ende po zvarritet.

Me këtë rast, kreu i partisë shqiptare në qeverinë e Shkupit ftoi gjithë udhëheqësit politikë në vend që të reflektojnë dhe ta kuptojnë drejt rëndësinë që ka për të ardhmen e vendit zbatimi i plotë i marrëveshjes që ndërpreu konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni.

“Marrëveshja e Ohrit si tërësi ka kaluar në legjislativin e Maqedonisë, përjashto këtu vetëm gjuhën shqipe që është bërë hap pas hapi. Po të flasim për implementimin praktik të saj, këtu ka shumë vend për të biseduar, diskutuar e analizuar, sepse ka shumë gjëra që duhen bërë dhe ka të tjera që nuk janë bërë akoma”, deklaroi Ahmeti.

Duke folur për sfidat e shumta me të cilat po ballafaqohet Maqedonia 14 vite pas firmosjes së marrëveshjes, ambasadori amerikan në Shkup, Jess Bailey tha se për tejkalimin e problemeve liderët politikë duhet t’i vendosin interesat shtetërore në vend të parë.

Diplomati amerikan vlerësoi se Marrëveshja e Ohrit nuk është një dokument i përkryer, por megjithatë mbetet dokument themelor dhe i pazëvendësueshëm për Maqedoninë.

“Kjo nuk është një marrëveshje që i sjell përfitime vetëm një grupi apo bashkësie entike, por garanton zhvilimin e një shoqërie të fortë multientike. Marrëveshja e Ohrit nuk është një dokument i përkryer, pasi dispozitat e saj lënë hapësira për interpretime të ndryshme, por, siç e shohim edhe sot këtu, për këtë marrëveshje ekizston konsensus i gjërë dhe ky dokument mbetet i pandryshueshëm dhe themelor për vendin”, vlerësoi Bailey.

Në konferencën e Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit pranë qeverisë së Maqedonisë me rastin e 14-vjetorit të firmosjes së saj, organizatorët thanë se dokumenti paqësor i arritur në vitin 2001 ende mban gjallë procesin e demokratizimit dhe tolerancës në Maqedoni.

Megjithatë, panelistët numëruan shumë probleme në sfera të ndryshme që kanë të bëjnë me raportet ndëretnike, që duhet të ishin përmbyllur shumë vite më parë nëse do të zbatohej në afat dhe drejt Marrëveshja e Ohrit.

Top Channel