Bundesliga, Bayern kërkon të shkruajë historinë. Synon të 4-tin radhazi

13/08/2015 00:00

Bayern Munchen do ta nisë sezonin e ri të Bundesligës në “Allianz Arena”, këtë të premte, ndaj një rivali që nuk ka rënë asnjëherë në historinë e futbollit gjerman në “Bundesliga 2”, siç është Hamburgu, por kapiteni Philipp Lahm ka në fokus titullin e katërt radhazi në Gjermani, diçka që do të ishte historike, sidomos kur dihet se trajneri Pep Guardiola do të nisë “shëtitjen” e fundit në Bavari.

Ish-trajneri i Barcelonës starton kështu sezonin e tretë dhe të fundit sipas kontratës aktuale që e lidh me gjigantët bavarezë, por do të synojë të ruajë ende atë dominim të pamëshirshëm të viteve të fundit ndaj një kundërshtari si Hamburg. Bayern ka treguar shumë pak shenja se do të lirojë diçka nga dominimi i hekurt sa i përket trofeut të Bundesligës, të cilin e kanë fituar për 3 vite me radhë së fundi.

Por, bavarezët duan të bëhen skuadra e parë gjermane që fiton 4 tituj radhazi, si askush në histori. “Askush nuk e ka arritur këtë sukses, madje as ai ekip i tmerrshëm i viteve ‘70”, thotë mbrojtësi Lahm, i cili shpesh aktivizohet edhe si mesfushor i tërhequr. “Kjo është një shtysë e madhe, ndaj dhe lojtarët e kanë në mendjet e tyre një objektiv të tillë”. Edhe shoku i tij i repartit, Jerome Boateng është i të njëjtit mendim. “Duam ta arrijmë me çdo kusht këtë synim”.

Bayerni ka humbur një mesfushor historik si Bastian Schweinsteiger, i cili ka kaluar në Premier League me Manchester United, por ka siguruar shërbimet e mesfushorit të palodhshëm kilian, Arturo Vidal, si dhe anësorin brazilian, Douglas Costa, ndërsa në letër Hamburgu nuk pritet të përbëjë ndonjë problem të madh për gjigantët bavarezë, për të mos thënë janë “thjesht një seancë stërvitore”.

Bavarezët i mposhtën 8-0 në “Allianz Arena” në përballjen e muajit shkurt, ndërkohë që barazimi pa gola i Hamburgut në Mynih gjatë shtatorit të kaluar është e vetmja “fitore morale” për miqtë veriorë, pas humbjeve të tjera 4-1, 3-1, 9-2 dhe 3-0 ndër takimet e fundit mes këtyre dy skuadrave.

Hamburgu qëndroi në Bundesligën gjermane vetëm falë ndeshjeve “play-off” për të dytin vit me radhë, ndërsa këtë vit janë përforcuar në mbrojtje me boshnjakun Emir Spahiç.

Sa i përket dueleve të tjera, nënkampionët e Wolfsburgut do ta nisin në shtëpi ndaj Eintracht Frankfurt, ditën e diel, edhe pse mendjen e kanë te mbajtja e lojtarit më të mirë të vitit të kaluar në Gjermani, Kevin de Bruyne, duke qenë se Manchester City raportohet të ketë ofruar 66 milionë euro për mesfushorin belg. “Ujqërit” vijnë nga një tjetër sukses i pak ditëve më parë, duke mposhtur Bayernin në finalen e Superkupës së Gjermanisë, ndërsa trajneri i tyre Dieter Hecking ka rinovuar deri në 2018-n.

Dortmundi nis këtë sezon një “jetë” të re pa Jurgen Klopp, një trajner karizmatik që i drejtoi në një periudhë tepër të suksesshme, por që sezonin e fundit dha dorëheqjen për t’u zëvendësuar nga Thomas Tuchel, teksa do të presë ditën e shtunë pasdite një rival tepër të fortë si Borussia Munchengladbach. Tuchel shihet si një prej trajnerëve më premtues të Bundesligës, teksa në 5 vitet e fundit në krye të Mainzit ka siguruar aq pikë, saqë vetëm Bayerni, Dortmundi, Leverkuseni dhe Schalke nuk mundën të kapeshin. Të tjerët janë të gjithë pas tij.

Dy ekipet e sapongjitura në Bundesligë, janë Ingolstadt, ekip bavarez që do të debutojë në kategorinë më të lartë duke e nisur nga transferta e Mainzit; si dhe Darmstadt, të cilët rikthehen në elitën e futbollit gjerman pas 33 vitesh mungesë, duke pritur Hanoverin gjatë së shtunës. Stuttgarti do ta nisë këtë sezon në shtëpi ndaj Këlnit, ditën e diel, në ndeshjen e fundit të javës së parë të Bundesligës.

Top Channel