Sulmi në Irak, SHBA-të besojnë se militantët e ISIS përdorën gazin mustard

14/08/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara besojnë se kanë fakte të mjaftueshme për të vërtetuar se militantët e Shtetit Islamik kanë përdorur gazin mustard gjatë sulmit ndaj forcave kurde në Irak.

Ky është sinjali i parë që ekstremistët tani kanë shtënë në dorë edhe armë kimike të cilat janë të ndaluara, dhe se mund t’i përdorin edhe në të ardhmen.

“Ne kemi informacione shumë të besueshme se është përdorë gazi mustard gjatë atij sulmi”, është shprehur një zyrtar i lartë amerikan.

Militantët besohet se e kanë marrë gazin mustard në Siri, pasi edhe qeveria e këtij vendi para dy vitesh e pranoi se ka një sasi të madhe, kur ra dakord që të heqë dorë nga armët kimike.

Ndërkohë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ali Baskey ka thënë se SHBA-të janë duke mbledhur informacione. “Ne po vazhdojmë të marrim të dhëna, pasi të gjitha pretendimet për përdorim të armëve kimike merren shumë seriozisht”, u shpreh ai.

Agjencitë amerikane të intelegjencës kishin zbuluar më parë se militantët përdorin gazin klorin, por ky lloj gazi nuk është i ndaluar.

Top Channel