Gjenden në Vlorë motrat Kajtazi. Ishin larguar me dëshirë, pa i shfrytëzuar askush

14/08/2015 00:00

Një muaj pas largimit nga shtëpia, Policia e Durrësit gjeti dhe arrestoi dy motrat Kajtazi, për të cilat deklarohet se nuk janë shfrytëzuar nga askush gjatë kësaj aventure të pazakontë.

Orialda dhe Klevisa Kajtazi, përkatësisht 18 vjeç dhe 14 vjeç, të cilat u gjetën në një apartament të marrë me qira në qytetin e Vlorës, do të përballen me akuzën e shkatërrimit të shtëpisë me zjarrvënie dhe vjedhje në bashkëpunim.

Nga dëshmia e dhënë në polici, vajzat kanë pohuar se janë larguar me dëshirë nga shtëpia, në shenjë hakmarrjeje ndaj prindërve, pasi ndiheshin jo të lira dhe nuk trajtoheshin mirë prej tyre. Madje, kur rasti i tyre është publikuar, kanë ndryshuar edhe ngjyrën e flokëve për të bërë të pamundur gjetjen e tyre.

Në Spitallë të Durrësit, prindërit dhe motra e madhe tregojnë sesi e mësuan lajmin për gjetjen e Orialdës dhe Klevisës.

“Shkova në mëngjes si zakonisht në polici dhe sa i takova ata më thanë se vajzat u gjetën. Janë gjetur në Vlorë, kishin ikur vetë dhe gjithçka kanë bërë e kanë kryer vetë. Kjo është diçka e mirë për mua, sepse siç e kam thënë nuk do ta falja dikë nëse do të më kishte bërë diçka të tillë. Ndoshta do të kisha bërë gjënë më të keqe që mund të ekzistonte”, thotë Hiqmet Kajtazi, babai i vajzave tashmë të gjetura.

Ai mohon të ketë keqtrajtuar vajzat e tij. E vetmja ndalesë ka qenë ajo e daljeve pa kriter me shoqërinë. Të vetmin shpjegim që ai i jep sjelljes së vajzave, është gjendja e rënduar psikologjike pas prishjes së fejesës së Orialdës.

“Në qoftë se vajza nuk do të trajtohej mirë, vajza nuk kishte pse të largohej por mund të merrte në telefon policinë. Këto janë gjërat e moshës së tyre dhe ndoshta prej dështimit të një fejese që ka pasur ajo, mund t’i ketë shkaktuar depresion. Nuk ka pasur në mënyrë kategorike dhunë ndaj tyre”, shprehet më tej Hiqmet Kajtazi.

Edhe motra e madhe, Alketa mohon që prindërit t’i kenë keqtrajtuar ndonjëherë, ndërsa është e kënaqur që motrat u gjetën shëndoshë e mirë, ndonëse nuk e di se kur do t’i ketë në shtëpi sërish.

“Është diçka që nuk ndodh në familjen tonë. Ndoshta në familjet e tjera edhe ndodh, kemi dëgjuar raste plot, por në familjen tonë jo. Ndoshta mund të ketë ndikuar edhe gjendja e saj psikologjike pas prishjes së fejesës. Vetëm kjo mund ta ketë shtyrë, ndërsa motra e vogël besoj se thjesht ka shkuar pas fjalëve të saj, sepse ato janë të lidhura shumë me njëra-tjetrën”, thotë Alketa Kajtazi, motra e madhe, 20 vjeç.

Trishtimin më të madh duket se po e kalon Anila, nëna e dy motrave të ndaluara nga policia. Ajo nuk është në gjendje të flasë. Edhe pse pranon, se vajzat e duan një mësim, ajo nuk do që ato të dënohen, për aq kohë sa e dëmtuar nga e gjithë kjo histori është vetëm familja e tyre.

Në polici, motrat kanë deklaruar se kanë marë 200 mijë lekë dhe 300 € nga shtëpia, ndërsa në çastin e gjetjes së tyre, ato kishin vetëm 100 mijë lekë dhe 100 €, të cilat iu sekuestruan. Vajzat janë larguar nga banesa dhe, pasi kanë fjetur në një hotel në Durrës, më 17 korrik janë larguar me autobus në drejtim të Vlorës, ku përmes një agjencie imobiliare kanë marrë një apartament me qira, ku edhe kanë qendruar gjatë këtyre javëve.

Policia deklaroi se, motrat nuk kanë punuar në asnjë lokal nate apo disko dhe nuk janë shfrytëzuar nga askush. Ato dilnin pak nga banesa ku qëndronin, si dhe frekuntonin ambiente me shumë njerëz, më qëllim që të mos pikaseshin.

Ndyshimet fizike të vajzave nga fotografitë e bëra publike kanë vështirësuar punën e Policisë në identifikimin e tyre. Ndërkaq, prindërit e tyre presin t’i takojnë vajzat, që ndodhen në Policinë e Durrësit, e të qartësohen mbi hapat që do të hedhin më pas për mbrojtjen e tyre ligjore.

Top Channel