Fëmija i parë, i dytë apo i tretë?

14/08/2015 00:00

Fëmijët e vetëm shquhen për përsosmëri dhe për faktin se arrijnë gjithmonë objektiva ambiciozë. Gjithmonë në kërkim të vëmendjes, kanë nevojë për miratimin e prindërve apo miqve.

Por karateristika të veçanta mund t’u atribuohen edhe personave me vëllezër e motra. Këto karakteristika janë në lidhje me radhën e lindjes brenda familjes. Në këto karakteristika kontribuojnë trashëgimi gjenetik, ambienti social dhe prindërit. Studime të ndryshme, të kryera ndër vite, tregojnë ndikimin që ka radha e lindjes tek personaliteti i fëmijës. Pra, jeni fëmija i parë, i mesit apo i fundit?

Sipas pjesës më të madhe të psikologëve, fëmijët dallohen kryesisht me strategjinë që kanë për të tërhequr vëmendjen. Fëmijët e parë preferojnë të mbrojnë autoritetin, ndërsa më të vegjëlit preferojnë rrugën e rebelimit.

“Çdo fëmijë mëson të interpretojë rolin që ka në familje. Fëmija i parë mbahet në kontroll të plotë. Por pak nga pak, pasi vijnë vëllezërit e motrat e tjerë, prindërit qetësohen”, thotë për “Huffington Post” doktori Kevin Leman, psikolog dhe autori i librave “Libri i renditjes së lindjes” dhe “Avantazhi i të qënit fëmija i parë”.

Por si e interpreton shkenca këtë ndryshim?

Fëmija i parë
Sipas dr. Leman, fëmijët e parë kanë tendencën të arrijnë objektivat, janë studentë të shkëlqyer, dhe arrijnë të fitojnë pozicionin e liderit. Shumë prej presidentëve të SHBA-së, për shembull, kanë pasur rolin e vëllait të madh. “Ata janë standard referimi për të tjerët”, thotë dr. Leman.

Por fëmija i parë është edhe konformist, sipas një studimi të 2009, publikuar në gazetën Child Development. Konformizmi shërben për të kënaqur prindërit. “Përgjegjësia, konkurrenca, konservatizmi janë karakteristika të tjera tipike, ndërsa fëmijët më të vegjël kërkojnë, në të kundërt, të krijojnë hapësirë nëpërmjet rebelimit”, thonë psikologët belg Vassilis Saroglou dhe Laure Fiasse, autor të një studimi të publikuar në Personality and Individual Differences.

Fëmija i vogël
Nga fëmijët më të mëdhenj ai cilësohet si i përkëdheluri i shtëpisë. Më kreativ, rebelues, gjithmonë në kërkim të vëmendjes. Dhe arsyeja është tek qëndrimi i ndryshuar i prindërve, të cilët pas eksperiencës së krijuar me fëmijët, ndihen më të qetë dhe më tolerantë.

“Fëmijët e vegjël janë shpesh manipulues, shitës të shkëlqyer. Mësojnë t’ia hedhin paq, pa u lagur dhe të mashtrojnë të tjerët”, shpjegon dr. Leman. Megjithatë, thekson ai, kjo nuk do të thotë se ata kanë tendencën më të madhe drejt kriminalitetit, siç keqkuptohet gjithmonë nga njerëzit.

Fëmija i mesëm
Ai është më paqësori i shtëpisë. Fëmija i mesëm dallohet në përgjithësi si një individ mjaft i pëlqyer. Besnik në marrëdhënie, sillet njësoj si me fëmijët dhe me të moshuarit, dhe është social.

Përveç kësaj, pasi është mes një fëmije më të madh dhe më të vogël, fëmija i mesëm është një negociator i madh dhe bisedon për të gjetur një kompromis, shpjegon dr. Leman. Vështirë për ta zbutur, por ka avantazhin e të besuarit në vlerat e miqësisë.

Çfarë mund të bëjnë prindërit?
Misioni i vërtetë i nënës dhe babait është të ndihmojë fëmijën në “udhëtimin” e tyre të vetëm. Kështu thotë dr. Gail Gross, eksperti i zhvillimit të fëmijëve. “Fëmijët duhet të mësohen të gjejnë fatin e tyre, apo rolin që ata kanë brenda familjes”, thotë ai. Prindërit duhet t’i japin vlerë aspektit që e bëjnë unik një fëmijë, duke respektuar pikat e forta e të dobëta të tij, duke i trajtuar të gjithë në mënyrë të ndryshme, në mënyrën më të mirë.

Top Channel