Nishani rikthen për shqyrtim në Kuvend ligjin për Arsimin e Lartë

14/08/2015 00:00

Presidenti i Republikës nuk është kursyer me argumentët kundër ligjit për Arsimin e Lartë, në dekretin që e kthen ligjin e shumëdebatuar për rishqyrtim në Kuvend. Arsyeja madhore e kthimit të ligjit nga Presidenti është se ligji cenon rëndë autonominë e universiteteve, një detyrim i qartë kushtetues dhe ndërkombëtar, i cili siç thuhet në dekret, nuk është përmbushur.

Presidenti e cilëson ligjin për Arsimin e Lartë si etatist, ku në qendër vendoset shteti dhe jo universitetet dhe studentët, çka çon në kontroll të tepruar dhe abuzim shtetëror.
 
Por Presidenti ka edhe 5 arsye të tjera, ku me shpjegimin e detajuar të të cilave, u kërkon deputetëve të rishqyrtojnë vendimin e tyre.

Ligji i Arsimit të Lartë, sipas Presidentit, nuk duhet të hyjë në fuqi kështu siç është, sepse, me paqartësinë dhe konfuzionin e tarifave, ku nuk është përcaktuar një kufi maksimal dhe minimal, rrezikon të shkelë parimin kushtetues se çdokush ka të drejtë të arsimohet.

Sipas Presidentit të Republikës, ligji për Arsimin e Lartë nuk përcakton një numër të qartë tarifash dhe se me këtë ligj askush nuk e di sa kushtojnë ciklet e studimeve të larta në Shqipëri, duke cenuar rëndë parimin tjetër kushtetues të sigurisë juridike. Çfarë është e patolerueshme për Presidentin është se ligji për Arsimin e Lartë, jo vetëm nuk bën të qarta kushtet e kreditimit për studentët, por ai nuk ofron asnjë garanci apo mbështetje në ciklet e tjera përveç tre viteve të para. Siç thotë Presidenti, nga njëra anë shteti rrit tarifat në emër të cilësisë, nga ana tjetër braktis studentët pas ciklit të parë, duke i lënë në mëshirë të fatit.

Në dekretin e tij, Presidenti analizon gjatë edhe sesi qeveria ndërhyn në autonominë e univeristeteve nëpërmjet agjencisë që do t’i financojë dhe që do të jetë nën varësinë e ministrit të Arsimit.

Si arsye të fundit në kthimin e ligjit, Presidenti shikon edhe marrjen e kompetencave të tij prej ministrit të Arsimit, të cilit, siç shkruhet në arsyetim, i lind e drejta të shkarkojë funksionarë që sipas Kushtetutës emërohen nga Presidenti.  

Në këtë arsyetim, Presidenti duket se ka marrë parasysh të gjitha vërejtjet thelbësore të përfaqësuesve të profesoratit, të cilët, së fundmi kanë edhe mbështetjen publike të opozitës për ta ankimuar ligjin në Kushtetuese, nëse mazhoranca do ta rrëzojë në shtator dekretin e Presidentit.

Top Channel