Shpërthimi në Kinë, ende zjarr dhe tym, një i mbijetuar

14/08/2015 00:00

Tym e zjarr vazhdon të shihet ende në Tianxhin të Kinës e numri i viktimave vazhdon të rritet në vendin e shpërthimeve të njëpasnjëshme ndodhur mbrëmjen e së mërkurës.

Deri tani numërohen 55 të vdekur por të paktën ekipi i ndihmës së shpejtë arriti të nxjerrë një të mbijetuar pas 30 orë kërkimesh, një 19-vjeçar, anëtar i forcave zjarrfikëse. Ai u dërgua menjëherë në spitalin e qytetit dhe është në gjendje të mirë sikurse raportojnë agjencitë e mediave lokale.

Personat që banonin brenda rrezes së shpërthimit e kaluan natën tek të afërmit e tyre ose pranë qendrave që qeveria përshtati për ta si tenda apo edhe ambientet e shkollave. Sipas informacioneve zyrtare më shumë se 6000 persona u akomoduan në këto ambiente. Forca të ushtrisë ndërkohë ruanin territorin për ndonjë rrezik të mundshëm.

Liu Yandon, një ndër krerët e partisë komuniste vizitoi qytetin mëngjesin e të premtes dhe i urdhëroi zyrtarëve të pranishëm kujdesin më të mirë mjekësor për të prekurit e ngjarjes, kryesisht të 71 personave që ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas tij të plagosurve të tjerë dhe familjarëve të atyre që humbën jetën duhet t’u ofrohet këshillim dhe vizita me psikologë.

Arsyen e shpërthimit autoritetet ende nuk e dinë. Magazina nga ku nisi shpërthimi ishte në pronësi të kompanisë Ruihai Logistics, e cila është e specializuar në materialet e rrezikshme. Në faqen e saj në internet thuhet se ndër këto materiale përfshihet gaz i kompresuar, lëndë të djegshme dhe kimikate helmuese të cilat nëse përziehen me ujin rritet rreziku i shpërthimit. Por sipas autoriteteve nuk është përcaktuar ende se cilat kimikate ishin magazinuar aty në momentin kur ndodhi shpërthimi e për këtë nevojitet një hetim i specializuar.

Top Channel