Ministri gjerman: Një emigrant paguhet sa polici në Shqipëri

14/08/2015 00:00

Pagesa “cash” e një azilkërkuesi në Gjermani prej 143 eurosh është sa paga e një polici në Kosovë dhe Shqipëri. Me këtë arsyetim ministri i Brendshëm i Gjermanisë ka kërkuar të rishikohet mundësia e uljes së pagesave që marrin azilkërkuesit në vendin e tij në mënyrë që të mos tundohen.

Këtë fakt ai e bëri me dije në një intervistë dhënë për kanalin televiziv gjerman ZDF. “Ne duhet të rishikojmë të hollat e xhepit dhe nuk duhet të lejojmë pagesën njëherësh të tyre. Ndoshta kështu do të ndikojmë disi tek fluksi i të ardhurve prej këtyre vendeve”, tha ministri Thomas de Maiziere.

Diçka që nuk mund të realizohet sipas ekspertëve pasi është e vendosur nga Gjykata Federale Kushtetuese dhe mbetet çështje e dinjitetit njerëzor. Intervista e ministrit vjen në një kohë kur në datën 9 shtator takimi i kancelares Merkel me presidentët e landeve pritet të shpalle si vende të sigurta origjine Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi. Kjo pritet të ndodhë duke marrë shkas që më shumë se 99% e kërkesave bërë nga këto vende refuzohet, por edhe se kryeministri i Kosovës dhe ai i Malit të Zi e kanë kërkuar këtë gjë përmes një letre dërguar përfaqësuesit të Parlamentit Evropian për Ballkanin, David McAllister.

Por, sipas Konrad Clewing, ekspert i Ballkanit në Institutin e Studimeve për Evropën Lindore dhe Juglindore, kjo nuk duhet të bëhet pasi gjendja ekonomike, kryesisht në Shqipëri, e bën jetën të vështirë e kjo i nxit këta njerëz të marrin rrugën e azilit. 25 vjet pas rrëzimit të komunizmit, citon ai, Shqipëria ende bën pjesë tek vendet e varfra të Evropës, ku shkalla e papunësisë llogaritet 30% e shifra të besueshme nuk ekzistojnë.

Më keq është gjendja në Kosovën fqinje, shton ai,  ku 1.8 milionë persona jetojnë në varfëri dhe 45-50% e popullsisë janë të papunë.

Për ProAsyl gjithashtu, organizata e të drejtave të azilantëve, kjo nuk është rruga më e mirë. Në Kosovë dhe Shqipëri, cilëson ajo, nuk mund të flitet për sundimin e ligjit në kuptimin perëndimor. Nepotizmi dhe korrupsioni gjithashtu, vijon organizata, mbizotërojnë ditën duke përmendur më tej edhe faktin që në Kosovë komuniteti rom vuan prej diskriminimit. Ndaj, sipas saj, kërkesat duhet të ndiqen në mënyrë individuale dhe të shqyrtohen me shumë kujdes.

Top Channel