Emergjenca e pastrimit në Gjirokastër, aksioni nis në Lazarat

14/08/2015 00:00

Situata emergjente e ndotjes së mjedisit, brenda territorit të bashkisë së re Gjirokastër ka nxjerrë në terren përfaqësuesit dhe administratorët e kësaj bashkie, në kuadër të një nisme për pastrimin e territorit, duke filluar nga njësia administrative e Lazaratit.

Sipas kryebashkiakes Rami do të ketë një ditë në muaj, të caktuar vetëm për pastrimin e ambientit, ndërsa pritet që brenda vitit të ardhshëm të fillojë edhe ndërtimi i landfillit.
 
“Me unifikimin e njësive të reja administrative, filluam dhe punën me dis pika plani emergjente për të startuar në terren. Pika e parë ishte pastrimi i mjedisit ku me grupe pune të gjitha administratat e njësive administrative janë organizuar sot për të dalë në terren, dhe kemi filluar nga njësia administrative e Lazaratit”, thotë Zamira Rami, kryetare e Bashkisë Gjirokastër.
 
Menaxhimi i mbetjeve urbane mbetet një problem i pazgjidhur për qarkun e Gjirokastrës. Një vit më parë Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit gjobiti mbi 20 njësi vendore në Gjirokastër për shkelje lidhur me pastërtinë e territoreve dhe menaxhimin e mbetjeve urbane, ndërkohë që në asnjë prej qyteteve të këtij qarku nuk ka një landfill për përpunimin e mbeturinave, por vetëm grumbullime të hapura.

Top Channel