PD: Çmimi i lartë i naftës po shkatërron shqiptarët

14/08/2015 00:00

Partia Demokratike denoncoi të premten çmimin e lartë që duhet të paguajnë shqiptarët për karburantin, çmim që sipas PD-së është i shtrenjtë për faj të “taksës Rama”.

“Qytetarëve shqiptarë po u kushton çdo ditë e më shumë çmimi në rritje i karburantit, një darë financiare që sjell rrënim e varfëri. Çmimi i naftës sot duhej të ishte të paktën 240 lekë më i lirë nëse nuk do të ishte taksa Rama. Çmimi më i lartë i karburantit në rajon ka sjellë për shqiptarët dhe kosto të tjera shtesë në çdo produkt e sektor të jetës që ndikohet nga transporti dhe prodhimi përmes naftës”, tha Mateo Spaho.
 
“Qytetarët tanë sot e paguajnë naftën afërsisht sa finlandezët, danezët e suedezët, kur dihet se të ardhurat tona janë disa herë më të ulëta se në këto vende. Çmimit të lartë të naftës, i është shtuar edhe kontrabanda masive e miqve të kryeministrit që kanë përfituar deri në 100 milionë dollarë, para këto që kanë përfunduar në xhepat e qeveritareve te korruptuar. Partia Demokratike është e vendosur dhe do ta ulë çmimin e naftës duke hequr menjëherë taksën Rama prej 240 lekë për litër, sapo shqiptarët të na besojnë drejtimin e vendit”, shtoi Spaho.

Top Channel