Ligji për Arsimin e Lartë, Nikolla: E zhgënjyer nga Presidenti

14/08/2015 00:00

Ka qenë i menjëhershëm reagimi i Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, për kthimin e ligjit për Arsimin e Lartë nga Presidenti Bujar Nishani. Përmes një deklarate për shtyp, Nikolla shprehet e zhgënjyer nga veprimi i Presidentit, i cili sipas saj, vazhdon të jetë partiak në vendimet që merr.

Në deklaratë, ministrja e Arsimit ka kujtuar edhe njëherë se për ligjin e arsimit ishin përfshirë ekspertët më të spikatur shqiptarë të fushës, pa dallime prirjesh e bindjesh politike, ndërkohë që ishin dëgjuar të gjitha palët e interesuara, duke filluar nga institucionet e arsimit të lartë e deri te pedagogët dhe studentët.

Për Nikollën, Presidenti Nishani u bë palë me pakicën politike dhe atë të pedagogëve që e kundërshtuan ligjin, ligj ky që sipas ministres mori mbështetje dhe përgëzime nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit në Komisionin Europian. Duke e quajtur këtë qëndrim “antireformist të radhës të Presidentit Nishani”, ministrja Nikolla ka deklaruar në fund se ky mosdekretim thjesht do ta përforcojë bindjen dhe vullnetin e kësaj mazhorance për të rivotuar ligjin për Arsimin e Lartë ditët e para të sesionit të ri parlamentar.

Top Channel