PS: Basha nuk thotë asnjë fjalë për borxhin që la në bashkinë e Tiranës

14/08/2015 00:00

Partia Socialiste ka reaguar pas deklaratës së kreut të PD-së, Lulzim Basha për të ardhurat. Ervin Bushati, deputeti i PS-së, tha se Basha kërkon llogari tek të tjerët, por nuk thotë asnjë fjalë për borxhin që la në bashkinë e Tiranës.

“Modeli që ofron Lulzim Basha është i njëjti që ofroi për tetë vite rresht Sali Berisha. Zhytu në borxhe se pastaj vjen kundërshtari që fiton zgjedhjet dhe merret me to. Njësoj si Saliu e la Shqipërinë të zhytur në borxhe, borxhe që i paguajnë ende dhe sot qytetarët shqiptarë, dhe Luli i Bashkisë e la bashkinë të zhytur në borxh në 30 milionë dollarë. Gjithë këto ditë del e flet dhe akuzon qeverinë për mbledhjen e të ardhurave. Por pavarësisht se bën sikur nuk e kupton, arsyeja pse mbledhja e të ardhurave ka patur rënie të përkohshme për shkak të faktorëve të jashtëm, apo të ridimensionimit të ekonomisë, vënë në lëvizje dhe nga rritja e prodhimit vendas, Lulzim Basha teksa kërkon llogari tek të tjerët nuk ka guxim të thotë as edhe një fjalë për borxhin kolosal që i la pasaardhësit në bashkinë e Tiranës”, tha Ervin Bushati, deputet i PS-së.

Top Channel